×
  • Lajme
  • Lajme

    10 letrat mes Thaçit dhe Kurtit – a do të jetë e 11-ta për dikë tjetër

    Reporteri
    15 Prill 2020 | 17:53

    Një komunikim me letra ka karakterizuar raportin, të acaruar gjithsesi, mes Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe Presidentit, Hashim Thaçit. Deri më tash, që nga përfundimi i zgjedhjeve, vetëm për çështjen e mandatarit kanë shkëmbyer 9 letra dhe një dekret, thonë burimet presidenciale, shkruan Reporteri.


    Pasi kishte fituar zgjedhjet Kurti, Presidenti Hashim Thaçi i kishte shkruar atij tre herë. Të tre rastet ishin ftesë për takim për marrje të mandatit që ta formojë Qeverinë.

    Në dy raste, Kurti kishte refuzuar takimin me arsyetimin se s’ka kohë, e pas letrës së tretë kishte shkuar një letër por që ishte dekret për të nisur formimin e Qeverisë. Kjo kishte ardhur disa ditë pasi që të dytë ishin takuar për vetëm 5 minuta.

    Kurti e kishte marrë dekretin me 20 janar dhe më 4 Shkurt e kishte votuar Qeverinë në Kuvend. Por, edhe kjo Qeveri nuk zgjati shumë. Pas 50 ditëve u rrëzua nga partneri i tij dhe opozita, Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Gjatë këtyre 50 ditëve, Kurti i kishte shkruar letra Thaçit por në atë për kohë për t’u koordinuar rreth politikës së jashtme, shkruan Reporteri.

    Tash kur ka nisur gjithçka nga fillimi, me dy dilema: zgjedhje apo qeveri të re, Kurti e Thaçi kanë nisur sërish letrat.

    Që nga rënia e Qeverisë, Thaçi i ka shkruar tre herë Kurtit për ta njoftuar nëse ka ndonjë emër tjetër për mandatar të Qeverisë. Kurti i ka shkruar vetëm një herë, më 13 Prill 2020, përmes së cilës nuk ofron asnjë emër për kryeministër të ri.

    Thaçi i ka shkruar sot, letrën e 9 vetëm për mandatarin, që nga përfundimi i zgjedhjeve. Në këtë letër dërguar sot, presidenti shkruan se është duke e pritur emrin.

    Para se të niste letra ndaj Kurtit, pas rrëzimit të Qeverisë, Thaçi kishte takuar që të gjithë krerët e partive politike. Të gjithë ishin pro një qeverie të re, e vetëm VV për zgjedhje.

    LDK tashmë ka përkrahur një opsion qeverisës LDK-AAK-Nisma dhe të tjerët, nëse presidenti ua jep mandatin. Dje 108 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së votuan pro e vetëm 6 kundër.

    Në mesin e këtyre kundër edhe Kryetarja e Kuvendit e nënkryetare e LDK-së, Vjosa Osmani.

    PDK ndërkaq është shprehur se dëshiron të qëndrojë në opozitë. Por, fjalët e mira mes saj dhe VV-së janë shtuar. Kurti dhe Veseli kanë ruajtur disa kritika por kanë hequr vijat e kuqe mes tyre.

    Ndërkohë, nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca ka lavdëruar qëndrimin e PDK-së në këtë kohë./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!