×
  • Sport
  • Sport

    Futbollisti kosovar tregon si iu shkatërrua ëndrra për të pasur karrierë në Evropë: Isha në gjendje kome tre ditë

    Reporteri
    16 Prill 2020 | 15:21

    Lorik Maxhuni është një ndër lojtarët më të njohur në sportin e futbollit në Republikën e Kosovës.


    Në dekadën e fundit, Maxhuni ka një karrierë të bujshme në ekipet kosovare, ku edhe ka pasur suksese të ndryshme.

    Megjithatë, ëndërra e madhe e mbrojtësit, Lorik Maxhuni ishte ndërprerë në gjysmë. Teksa ai po bëhej gati të “shpërthente” në Evropë, më saktësisht në Austri, Maxhuni pësoi një dëmtim të tmerrshëm që i ndikoi për të keq në karrierën e tij.

    Ekskluzivisht për rrëfimet e karantinës në GazetaBlic Sport, Maxhuni tregon tmerrin që e kishte përjetuar në moshën 18 vjeçare.

    “Ishte viti 2011 dhe sapo kisha firmosur kontratë në Graz, në klubin GAK, ku në atë kohë trajner ka qenë Peter Stoger, i cili është shumë i njohur dhe ka udhëhequr edhe klube të Bundesligës, si Dortmund. Një ditë, ai më ftoi në takim dhe më tha që ai po largohet në nje klub tjetër në Superligën e Austrisë, SC Wiener Neustadt dhe më tha që ka dëshirë me më transferuar edhe mua atje bashkë me të. Unë në atë kohë isha 18 vjecar dhe do stervitesha me ekipën e parë, por do të luaja me ekipën e U21. Për mua ishte gjithçka në rregull”, rrëfen Maxhuni për fillimet e karrierës së tij në Austri.

    Por, fatkeqësisht ky transferim nuk ndodhi kurrë, pasi Maxhuni pësoi një dëmtim të tmerrshëm në ndeshjen e fundit me klubin e Grazner AK, me çrast ishte në gjendje kome për tre ditë.

    “Në ndeshjen e fundit me klubin ku isha GAK pësova një lëndim të tmerrshëm neë kokë. Pas lëndimit më transferuan drejt në spitalin e Grazit, ku kam qëndruar tre ditë pa vetëdije, pastaj fal Zotit gjërat shkuan mirë dhe e kalova atë lëndim të tmershëm”, vazhdon rrëfimin Lorik Maxhuni.

    Pas këtij lëndimi, ai nuk u lejua të luaj për një vit, ndërsa Maxhuni thotë se kjo i ka ndikuar edhe në karrierë.

    “Pasi që kisha marrë një tronditje në kokë, mjekët më thanë që duhet të pauzojë nga 6 deri në 12 muaj prej aktiviteteve fizike. Kjo më ka dëmtuar shumë në karrierën time, por pastaj u ktheva në Kosovë  ku edhe tani vazhdoj të luaj. I lutem Zotit që asnjë të riut të mos i ndodhë një lëndim i tillë”, përfundoi Maxhuni.

    Maxhuni gjatë kohës kur ka luajtur në GAK kishte realizuar dy gola, ndërsa kishte bashkëlojtarë emra të mëdhenj si Herbert Rauter, i cili është një ndër lojtarët më të shquar në Austri.

    Vlen të potencohet se tani Maxhuni luan tek skuadra e Flamurtarit në Superligën e Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!