Një 80 vjeçar nga fshati Studenicë i Istogut mbrëmë doli pozitiv në testimet për coronavirus.
Gjendja aktuale e tij, sipas drejtorit të Shëndetësisë në Istog, Mujë Osmanaj, është e mirë.
Osmanaj ka thënë për Gazetën Online “Reporteri.net” se i moshuari nuk kishte shkuar për t’u testuar nga QKMF-ja e Istogut, por nga Peja.
“Pacienti në fjalë ka probleme me mushkëri, ka qenë në pacient kronik. Ai ka shkuar për kontroll në Pejë, prej atje e kanë dërguar për testime për coronavirus pasi kanë dyshuar se është i prekur sepse ka pasur simptoma, pra nuk ka shkuar nga QKMF e Istogut”, ka thënë Osmanaj për Reporteri.net.
Ai ka treguar se pritet të testohen edhe katër anëtarë të familjes së të moshuarit, por kjo varet kur i kontakton IKSHP-ja.
“Është izoluar familja e tij katër anëtarëshe. Ata ende nuk janë testuar, por pritet të testohen”, ka thënë Osmanaj.
Ai ka treguar se me të moshuarin ka pasur kontakt edhe një taksist që e ka dërguar në spitalin e Pejës.
“Edhe një taksist dhe familja e tij janë izoluar, për shkak se taksisti e ka dërguar në spitalin e Pejës”, ka thënë Osmanaj.
Ai ndërkaq ka treguar se të gjithë familjarët e gruas 39-vjeçare nga fshati Lluga i Istogut që vdiq ditë më parë nga coronavirusi kanë dalë negativ.
Kujtojmë se 423 persona në vendin tonë janë të prekur me coronavirus, 71 të shëruar, kurse sot ka shkuar në 10 numri i personave të vdekur. /Reporteri.net/.