Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të mbajtur sot ku janë shqyrtuar tri nisma legjislative, pati kundërshtime nga LDK.
Pas mbledhjes së kryesisë ka folur shefi i grupit parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi i cili ka thënë se LDK-ja ishte ajo e cila sot bllokoi procedimin e këtyre nismave në Kuvend, njëra prej të cilave ishte edhe nisma ligjore e iniciuar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani për COVID-19, shkruan Reporteri.net.
“Për shkak të dallimeve në mes partive politike dhe të mos dakordimit të LDK-së dhe grupeve tjera që t’i procedojnë këto nisma. LDK nënkryetari Kujtim Shala, dhe kryetari i Grupit parlamentar, Arben Gashi lëshuan mbledhjen duke krijuar një atmosferë jo bashkëpunuese përkundër neve që kishim një bashkëpunimi”, tha ai.
Selimi ndër të tjera u shpreh se LDK po lufton më shumë kundër Qeverisë sesa kundër pandemisë. Ai tha se Kushtetuta e potencon qartë se kush e ka të drejtën e formimit të Qeverisë. Sipas Selimit, LDK po dëshiron ta bëjë qeverinë me humbësit, por këtë nuk do ta lejojnë.
“Ne do të jemi në mbështetje të Kushtetutës, e cila nuk ia jep askujt tjetër të drejtën që të formojë qeverinë përveç fituesit. Ajo që është në Kushtetutë është e qartë, se askush nuk ka të drejtë ta bëjë qeverinë përveç fituesit. Unë jam i vetëdijshëm që ata duan të bëjnë qeverinë me humbësit, por kjo nuk duhet të ndodhë”, u shpreh ai./Reporteri.net