×
  • Lajme
  • Lajme

    Arben Gashi e Arban Abrashi indirekt tregojnë se Isa Mustafa mund të jetë Kryeministër i Qeverisë LDK-AAK-NISMA

    Reporteri
    16 Prill 2020 | 21:19

    Isa Mustafa ka vendosur të hesht kur të tjerët po flasin për mundësinë që ai të kthehet në karrigen e Kryeministrit të Kosovës. Janë dy zyrtarë të lartë të kësaj partie që nuk e kanë mohuar simpatinë që ta shohin shefin e tyre sërish duke drejtuar vendin, shkruan Reporteri.


    Shefi i Grupit Parlamentar, Arben Gashi dhe deputeti Arban Abrashi kanë dhënë shenja se Isa Mustafa mund të bëhet sërish kryeministër, në një qeveri me AAK-në, Nismën dhe të tjerët.

    Më 25 Mars u rrezuar Qeveria Kurti, pas një mocioni të LDK-së. 50 ditë mjaftuan për ‘koalicionin e shpresës’. Tash Presidenti po kërkon një mandatar nga Vetëvendosje po refuzon ta japë, duke thënë se ‘Kushtetuta nuk njeh tjetër mundësi pos shkuarjes në zgjedhje”.

    E në LDK po presin që presidenti, në letrën e radhës ta kërkojë nga LDK një mandatar.
    Ajo ka marrë edhe miratimin e Këshillit të Përgjithshëm për një koalicion eventual me AAK-në dhe Nismën.

    Në LDK po konsiderojnë se Isa Mustafa është kandidati i denjë për t’u bërë Kryeministër.
    Ditë më parë, Reporteri ka shkruar nga burime të veta brenda LDK-së së ‘kryesia e ngushtë’ po kërkon nga Mustafa të marrë këtë përgjegjësi.

    Vetë Mustafa nuk ka folur për këtë gjë ende. Por, natyrisht po flasin njerëzit e tij.

    Dje, në emisionin Debat Plus në Dukagjini tha se do ta preferonte Isa Mustafen si Kryeministër.
    Kur u pyet për një kandidat të mundshëm dhe preferencat e tij, ai dha këtë përgjigje:

    “Nuk e kemi diskutu. Kryeministri në çdo kohë është kryetari i partisë. Nëse kryetari i partisë, për rrethana, për arsye, nuk don me kanë, atëherë e shohim të tjerë. Këtë temë nuk mund ta bisedoj me ju pa e biseduar me zotin Mustafa. Edhe për preferencë mund të them që është kryetari i partisë. Nëse kryetari i partisë nuk është, kemi mjaftueshëm kuadro që mujnë disa qeveri me i ba në Kosovë”, ka thënë ai.

    E sot ka folur edhe Arban Abrashi, deputet i kësaj partie dhe ish – ministër në Qeverinë e Isa Mustafës 2014-2017.

    “Pse të mos bëhet edhe njëherë Isa Mustafa kryeministër? Njohuritë dhe përvojat e tij janë thelbësore për vendin. Pse një profil i tij që i ka dyert e hapura në Uashington e në Bankën Botërore të mos jetë? Ekonomia e Kosovës është shumë e brishtë dhe nëse na falimentojnë bizneset me nga 2000 punëtorë do të jetë zor të rimëkëmbët, prandaj na duhet dikush që merr fonde”.

    Burimet e Reporterit ndërkaq thonë se ka gjasa që brenda javës, ose në fillim të javës që po vjen, mund të ketë lëvizje në drejtim të krijimit të një qeverie të re.

    Tri letra vetëm këtë herë ia ka dërguar Thaçi, kreut të VV-së, Albin Kurti. Ai nuk ka dhënë mandatar të ri dhe e ka akuzuar Thaçin për anim dhe veprime që mund të çojnë në shkelje të Kushtetutës.

    Përveç VV-së, të gjitha partitë janë shprehur pro një qeverie të re. PDK ka deklaruar se nuk dëshiron të jetë në qeveri, as me VV e as me LDK. VV vetëm zgjedhje. E LDK i ka përcaktuar partnerët. /Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!