Ndaj një deklarate të deputetes së VV-së Fitore Pacolli për shërimin në Tiranë të nënës së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, kanë reaguar edhe ish-bashkëluftëtarët e këtij të fundit nga ‘Brigada 137 Gjakova’, të njohur si ‘Djemtë e Asfaltit’ nga Gjakova.
Në reagimin e tyre, ata konsiderojnë se deputetja Pacolli në vend se të sulmojë familjen Haradinaj “është dashur të shkosh ta vizitosh nënë Rukien për t’ia shëruar plagët e vuajtjes, që dha bijtë e saj, që ti të bëhesh deputete, e jo të shkelësh mbi plagët e saja”.
“Të ulesh afër prehërit të saj e të mësosh si rritet trimëria e si duhet atdheu, e jo të shpërndash urrejtje. Mos harro se një ditë dhe ti do bëhesh nënë, e do të kujtohet nënë Rukia”, thuhet në reagimin e tyre, shkruan Reporteri.net.
Reagimi i plotë:
Nënë Rukia Heroina e Dukagjinit
Nënat e heronjëve dhe dëshmorëve, nuk janë nënat e partive politike, janë nënat e UÇK-së, janë nënat e vetë Kosovës. Ata bijë dhe bija që zhvilluan një nga misionet më delikate të jetës si borgjë ndaj popullit, u përcollën ushtarë me lotë në sy, nga ato nëna që i ndan nga sofra e tyre, për t’ia dhënë gjakun Kosovës. Shumë nëna mbetën duke u ngushëlluar për më të dashurit e tyre, por të mos i takuar kurrë, një luftëtar dhe luftëtare, që kishte rënë heroikishtë në kryerjen e detyrave të tyre për Atdhe.
Edhe nënë Rukia është nëna e shqipëtarisë, ajo nënë që përcolli jo vetëm bijt e saj në luftë, por shumë bijë e bija, e nga duart e saja i ushqyej me bukën e saj dhe i bekoi të dalin faqebardhë.
Askush nuk ka të drejtë të keqpërdor emrin e nënave tona, as ata që deri dje i qëndruan përball betejave kundër armikut, e sot janë të favorizuar nga politika për të përqarë e ndarë popullin e lirisë, nuk keni të drejtë as ju të prekni emrin e nënave, sepse qëndronin në dritare duke prit lajme për bijt dhe bijat e saja, derisa ju ishit rehat larg zonave të luftës.
Po, kjo nënë Rukia, nëna e Shkelzenit, Luanit e Enverit, Ramushit e Dautit, e bijve të tjerë, kjo grua e fuqishme kurr nuk e kishte kuptuar të ardhmen e saj, sepse ajo kuptonte vetëm atë që me të vërtetë ka rëndësi në jetë, buzëqeshja e saj e hidhur pas tragjedive të një pas njëshme.
A nuk duhet një nënë heroike, për hirë të bijve të saj të jetojë, për hirë të Kosovës, për hirë të vuajtjeve që kishte përjetuar, a nuk duhet një nënë e heronjëve dhe dëshmorëve ta shijoj jetën, që njëher e përgjithmon mos të kenë të drejtë ndyrësirat politike, ta prekin emrin NËNË.
Edhe ju që jeni zgjatur për të sulmuar familjen Haradinaj, që deri dje ishit ushtarë të Ramush Haradinajt, e që jeni ushqyer nga duart e nënë Rukies, si nuk ngritet zërin kundër një deputete që fut urrejtje mes nënave, si guxoni të heshtni e të mos e kujtoni se kjo vlenë edhe për nënat e juaja.
Turpi qoft mbi ju, për ju që keni kaq etje për të parë të vdekur një nënë, shumë nëna, ato nëna që na rritën dhe na ushqyen me idealin e lirisë, për ato nëna që vuajtën e vazhdojnë të vuajnë për bijtë e tyre.
Nuk ka gjë më të rëndë e më të ndyrë, kur një deputete kritikon një bir atdheu, pse me shpirtin e një biri të vërtet e shëroi nënën e tij. Turp ju matrapazët e politikës injorante, të ndyrë dhe përqarëse.
Fitore Pacolli, është dashur të shkosh ta vizitosh nënë Rukien për t’ia shëruar plagët e vuajtjes, që dha bijt e saj, që ti të bëhesh deputete, e jo të shkelësh mbi plagët e saja, të ulesh afër prehërit të saj e të mësosh si rritet trimëria e si duhet atdheu, e jo të shpërndash urrejtje. Mos harro se një ditë dhe ti do bëhesh nënë, e do të kujtohet nënë Rukia.
Brigada 137 Gjakova e UÇK-së
Gjakovë 16.04.2020