Ish-mesfushori legjendar i Barcelonës, Andres Iniesta, beson se gjenerata e artë e lojtarëve të klubit katalonas, ku ishin edhe lojtarët si Lionel Messi dhe Xavi, nuk do të mundë të përsëritet kurrë.
Akademia e Barcelonës La Masia ka prodhuar një numër të madh të talenteve të futbollit që nga fillimi i mileniumit, përderisa Andres Iniesta ishte në mesin e lojtarëve të shumtë që ishin sjellë në ekipin e parë përmes kësaj akademie, transmeton Gazeta Express.
Përderisa disa lojtarë të asaj gjenerate tashmë janë pensionuar, Iniesta vazhdon të luajë në Japoni, përderisa Messi, Gerard Pique dhe Sergio Busquets vazhdojnë të luajnë për katalonasit.
Megjithatë, Barcelona do të shpresojë ta nxjerrë një tjetër gjeneratë të ngjashme të lojtarëve të talentuar, përkundër që Iniesta beson se ata do ta kenë të pamundur t’i arrijnë sukseset e para dy dekadave.
“Ajo gjeneratë s’mund të përsëritet, por jo që do të vijë tash nuk ka nevojë të jetë më e keqe në aspektin se sa arrin klubi. Nuk do të jetë kurrë e njëjtë, por kjo s’do të thotë që do të jetë më e keqe”, ka thënë Iniesta.
“Ka pasur disa epoka në historinë e klubit: lojtarët e rinj kishin më shumë raste në ekipin e parë kur rezultatet ishin të dobta dhe pastaj duhej të ktheheshin të ekipi i parë. Kjo ndodhi në epokën time”.
“Por, pastaj mund t’i kesh 10, 11 apo 12 lojtarëve nga akademia në ekip të parë. Varet kush është trajneri, varet nga situata e klubit, por unë mendoj se kur një lojtar i akademisë është mjaftueshëm i mirë të luajë në ekipin e parë, atëherë ai bëhet pjesë e ekipit të parë”.