Disa raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë ditës së djeshme në Kosovë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se një prind në Fushë Kosovë është arrestuar pasi që kishte sulmuar fizikisht të bijën e tij.
Viktima kishte pësuar edhe lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor, shkruan Reporteri.net.
Një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Prishtinë ku i biri e kishte sulmuar fizikisht babanë e tij.
Policia njofton se i dyshuari është me të meta psikike dhe fillimisht është dërguar në Spitalin e Psikiatrisë, e më pas në vuajtje të dënimit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Një rast tjetër i dhunës në familja ka ndodhur në Lipjan ku Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar të moshës së mitur, i cili raportohet se kishte sulmuar fizikisht nënën e tij.
Kujtojmë se policia e Kosovës ka bërë një apel lidhur me rastet e dhunës në familje, pasi që në tre muajt e fundit numri i tyre është rritur.
Sipas njoftimit të policisë nga muaji janar deri tash janë raportuar gjithsej 481 raste të dhunës në familje.
Numri më i madh i rasteve është shënuar në muajin Mars, ku janë raportuar gjithsej 169 raste të dhunës në familje. /Reporteri.net