Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka shkruar sërish letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke ia bërë të ditur qëndrimin tashmë të njohur të tij për zgjedhje pas pandemisë.
Në letrën e fundit, Kurti e ka akuzuar Thaçin se po tenton të imponojë “standardin e dyfishtë” si dhe ka kërkuar sqarim nga presidenti për këtë çështje.
Mirëpo, ajo çka bie në sy është fakti se Kurti në letrën e fundit i është drejtuar Thaçit në cilësinë e kryeministri të vendit e jo në atë të subjektit më të madh politik, Lëvizjes Vetëvendosje, që e ka edhe të drejtën për emrin e mandatarit të ri për formimin e Qeverisë shkruan Reporteri.
Ne praktikat institucionale e politike, Kurti do të duhej t’i drejtohet Presidentit në cilësinë e kryetarit te VV-së dhe letra, sikurse ka bërë në të kaluarën do të duhej të ishte me vulë, protokoll e stemë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Megjithatë këtë letër, për arsye të paqarta Kurti e ka nënshkruar në cilësinë e kryeministrit të vendit, e jo në cilësinë e kryetarit të VV-së, siç edhe i ishte referuar presidenti Thaçi në letrën e fundit.
Kujtojmë se në letrën e fundit Thaçi ka kërkuar nga Kurti që në cilindo rast, të pranimit apo refuzimit të mandatit, që ta njoftojë për një gjë të tillë në mënyrë që t’i ndërmarr të gjithë hapat e përcaktuar në Kushtetutë dhe të dekretoj kandidatin për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. /Reporteri.net