Kryeministri Rama ka njoftuar se duke filluar nga dita e hënë, do të ketë një sërë lehtësimesh për qytetarët si dhe hapja e një sërë biznesesh në ato që janë cilësuar si kategori me risk të ulët.
Në lidhje live në ERTV, Rama dha një lajm të mirë për pensionistët, duke deklaruar se teksa ditën e nesërme askujt nuk i lejohet të dalë, të gjithë pensionistët mund të dalin deri në orën 11:00 të pasdites, mundësisht të shoqëruar vetëm nga një pensionist/e tjetër dhe duke mbajtur distancim.
Rama tha se duke filluar nga java e ardhshme, të gjithë ata që duan të shkojnë në punë përmes makinës, mund të lëvizin lirshëm vajtje- ardhje duke marrë një leje javore, e madje edhe duke marrë një tjetër punonjës në automjet.
Por teksa Rama foli për lehtësira edhe më të mëdha pas përfundimit të javës së ardhshme, ai ka paralajmëruar se kush do të shkelë rregullat, do të përballet me gjoba të rënda e deri në burgosje.
E para hapja graduale, të jemi të vetëdijshëm, ka riskun e saj, që do të thotë se ekziston mundësia e rikthimit, këtu ku jemi. Pra t’jemi tqartë, asnjë vend, asnjë ekspertizë nuk thotë se përsa kohë ka jetë infeksioni do të zhduket, pa dalë vaksina. Në një farë mënyre mund të thuhet se qyshse ka nisur kjo përballje, do të bashkëjetojmë duke bërë gjithçka për ta mbajtur nën kontroll. Ama varet nga të gjithë ne, sesa arrin virusi të na dëmtojë
Javën e ardhshme do të mund të merret një autorizim javor për të gjithë ata që janë në punët e lejuara dhe automjeti mund të lëvizë për vajtje ardhje, me vetëm një person në sediljen e pasme dhe diagonal. Kush merr lejen, të lexojë mirë pasojat penale që vijnë nga shkeljet e mundshme.
Po ashtu javën e ardhshme ne do të autorizojmë edhe lëvizjen me automjet për arsye shëndetësore, duke parë që jemi ndeshur në ankesa legjitime. Ama ky autorizim duhet të mbështetet në një dokument mjekësor.
Javën e ardhshme do të punojnë krejt lirisht brenda fashës apo me turne sipas natyrës së punës, të gjithë ata që do të jenë në kategoritë e lejuara që do të publikohet në faqen e e-Albania. Të gjitha bizneset e administratorët në këto kategori, duhet të sigurohen që të mësohet se cilat janë detyrat dhe të respektohet protokolli i sigurisë sipas rregullave të përcaktuara. Të mësojmë po ashtu edhe se cilat janë pasojat penale për shkelësit.
Javën e ardhshme duhet të përgatitemi të hapemi avash avash, kategoritë do të publikohen. Nga java e ardhshme, pasojat për shkelësit janë të rënda, në veçanti për trimat e lagjeve që hapin lokalet./