Mirlind Daku është një nga lojtarët më të mirë në Superligën e Kosovës dhe nga ai pritet shumë në të ardhmen.
Ylli i Ballkanit tregon për përkujdesjen që lojtari ia ka bërë deri në momentet e fundit të jetës së gjyshit të tij të ndjerë.
“Qysh me vdekjen e gjyshes, unë kam qenë perkrah gjyshit tim. Kam flejt me të, i kam premtuar që asnjëherë nuk do ta lë vetëm dhe që gjithmonë do të jem me të. I kam ndihmuar për gjithçka. Tre vite pas vdekjes së gjyshes, gjyshi jem i cili ishte haxhi duke u rikthyer nga xhamija për në shtëpi, pësoi një aksident. Atë e kishte shkelur vetura, duke ia thyer dorën”, fillon rrëfimin Mirlind Daku për gazetën “Blic”.
Ai tregon që nga ai moment kishte filluar të qëndrojë edhe më afër gjyshit të tij, duke e ndihmuar atë edhe për nevojat elementare.
“Që nga ajo natë, ai nuk ka qenë në gjendje mu pastru, e as të bëjë gjërat elementare. Unë në të gjithë kohën i kam qëndruar afër, duke ia mundësuar gjërat elementare e deri tek abdesi”, vazhdon lojtari i kombëtares së Kosovës u21.
Më pas, Daku tregon se ishte në dilemë për transferimin tek skuadra e Llapit, pasi duhej të kujdesej për gjyshin e tij.
“Kur erdhi puna që unë të transferohem tek klubi i Llapit ai më thoshte: ‘Kujdes çka po nënshkruan, sepse ti duhesh me dit që e ke një njeri këtu në shtëpi, për të cilin duhesh të kujdesesh’.
Jam ndier shumë keq, sa që nuk e kam ditur se çfarë të bëjë. Ai nonstop ma thoshte në gjë të tillë. Sikur Zoti me dasht me mi hap rrugët, gjyshi ka vdek me 3 janar 2017, pasi edhe ai dëshiroi që Zoti të mos më pengojë në ëndërrën time, ndërsa unë nënshkrova kontratën edhe fillova stërvitjet me 5 janar 2017 me Llapin. Kjo histori do të jetë kujtim tek unë tërë jetën. Nga ai moment, çdo gol mundona me ju falënderu Zotit së pari, e pastaj me ia dediku gjyshit, i cili është forca ime më e madhe nga lartë. Zoti më shpërblen shkaku i sakrificës edhe kujdesit që kam bërë pa interes”, përfundoi Daku.