Futbolli evropian dhe ai botëror pritet me shumë gjasë që në fundin e muajit maj të starton me ndeshjet kampionale të cilat ishin pezulluar më shumë se një muaj më parë, si shkak i përhapjes së pandemisë së koronavirusit.
Kujtime nga e kaluara për Gazeta Olle ka zgjedhur të tregon edhe mesfushori i tanishëm i Gjilanit, Muhamed Useini.
31 vjeçari, më parë ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës ku bëri edhe histori, pasi u shpallën kampion të Maqedonisë për herë të parë në edicionin 2010/11.
Kjo iu mundësoi skuadrës shqiptare daljen në Evropë, më saktë garimin në fazën e dytë të Ligës së Kampionëve, ndërsa përballja që shorti caktoi për ta, doli të jetë jo e zakonshme.
Shkëndija në këtë fazë kishte përballë skuadrën serbe Partizani nga Beogradi, skuadër kjo që njihet për mentalitetin e tifozëve të tyre ndaj shqiptarëve.
Për emocionet e kësaj ndeshje, dhe gjithë ngjarjen e ndeshjes së zhvilluar në Beograd, i tregon më së miri Useini në rrëfimin e tij special.
“Ishte viti historik ku u bëmë kampion me Shkëndijën për herë të parë dhe ishte pjesëmarrja jonë e parë në arenën ndërkombëtare dhe fati deshi që të takohemi me Partizanin e Beogradit, edhe pse sot e kësaj dite besoj se mos të kishim humbur penalltinë në fillimin e ndeshjes, e gjithë rrjedha do të kishte qenë ndryshe”, tha fillimisht Useini.
Tutje, ai ka folur për sharjet në kore gjatë 90 minutash në stadiumin e Partizanit, nga tifozët vendas të kësaj skuadre.
Sipas tij, e gjitha kjo mund të përshkruhet si një luftë, pasi ashtu dukej nga këndë-vështrimi i tij.
“Ka qenë një ndeshje që nuk mund ta harroj kurrë në jetën time, aq sharje, aq kore nacionaliste për 90 minuta. Në fakt më shumë nga jashtë është parë si një luftë sesa një ndeshje futbolli”, vazhdoj rrëfimin 31 vjeçari.
“Që në momentin që kemi arritur në Serbi për neve janë kujdesur një ushtri e tërë për siguri. Rrugët ku kemi kaluar ishin të bllokuara që të kalonim vetëm ne, hoteli ku qëndronim nuk kishte asnjë shanse të futet askush dhe më e çuditshmja ishte në tunelin para ndeshjes, ku një ushtri e tërë ishte në mes nesh dhe lojtarëve të Partizanit. Kjo ka qenë një ndeshje që nuk harrohet sepse ishte takim i tëri për tu shijuar dhe mbetur në memorien time”, përfundoj rrëfimin mesfushori tetovar.
Useini ka një karrierë të pasur si futbollist pasi në të kaluarën ka bartur fanellat e skuadrave si: Shkëndija, Rabotnicki, Renova, Shkupi e Flamurtari Vlorë.
Kurse, nga ky edicion është pjesë e Gjilanit ku po bën paraqitje të jashtëzakonshme, e duke fituar edhe besimin e trajnerit Gentian Mezani për një vend në formacionin e titullarit.