Një intervistë e Këshilltarit të Albin Kurtit, Shkëlzen Gashit, mund t’i kushtojë këtij të fundit me shkarkim, për shkak të deklaratave të tij.
Këtë gjë, të paktën po e kërkojë disa anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, nga kreu i tyre.
Kjo kërkesë po vjen pasi Shkëlzen Gashi, bashkëthemelues i Lëvizjes Vetëvendosje, deklaroi sot se UCK-ja ka kryer krime, dhe duhet të dënohen, shkruan Reporteri.net.
E në kërkesën e tij për shkarkimin e Gashit, Hysen Durmishi i VV-së, thotë se “Shkelzen Gashi kurrë nuk bëhet njeri”.
“Albin Kurti të lutem, ama sinqerisht të lutem! Shkarkoje Shkëlzen Gashin menjëherë sonte. Shkëlzen Gashi kurr nuk bëhet njeri. Ai i tillë si sonte ka qenë edhe në vitin 2005, dhe kjo ka qenë arsyeja pse është larguar nga Lëvizja”, shkruan Durmishi në facebook.
Skandaloze deklaratën e bashkëthemeluesit të lëvizjes me të cilën garoi për deputete në zgjedhjet e fundit, e ka konsideruar edhe, Mimoza Shala.
“E dëgjova deklaratën e Shkelzen Gashit. Skandaloze. Shkarkim! Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, shkruan ajo në facebook, përcjell Reporteri.net.
Ndryshe, bashkëthemeluesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Sheklzen Gashi, nuk është hera e parë që deklarohet kundër UCK-së, me ngjyrime që mund të konsiderohen si nxitje e urrejtjes ndaj luftës çlirimtare të Kosovës. /Reporteri.net/.