Numri i rasteve me koronavirus në Suedi ka shkuar në 18.926, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë e vendit.
E gjithë bota po përballet me masa të papara për të luftuar koronavirusin. Kufijtë e shteteve janë të mbyllur, nuk ka shkolla, kopshte, restorante, kafene…. Mirëpo, një vend ka një strategji shumë më relaksuese gjatë gjithë kësaj kohe. Është Suedia, e cila po lufton pandeminë globale ndryshe nga të tjerët dhe pretendon se strategjitë e saj janë të duhurat, por një rekord prej 812 raste të reja u raportuan të premten, me 751 të diagnostikuar rishtazi një ditë më parë, transmeton Reporteri.
Gazeta e njohur Aftonbladet shkroi se “kurba e koronës po shkon në drejtim të gabuar” pasi u publikuan shifrat.
Mediat në të gjithë botën janë të mbushura plot me foto dhe pamjet e suedezëve që ecin në rrugët e qytetit dhe asnjë masë izoluese detyruese nuk është ndërmarrë nga vendi. Në vend të kësaj, të moshuarit u këshilluan të ruanin distancën sociale, punonjësit u këshilluan të punojnë nga shtëpia dhe u kërkohej të anulonin të gjithë udhëtimet që nuk ishin të nevojshme.
Një qasje e tillë ka tërhequr kritika të gjera publike, përfshirë 22 shkencëtarë me ndikim që botuan një letër të hapur në gazetën suedeze Dagens Najheter, duke pretenduar se autoritetet suedeze të shëndetit publik kanë dështuar plotësisht.
Ata kërkojnë që politikanët të vendosin urgjentisht masa më të rrepta, duke shtuar se shkalla e vdekjes nga koronavirusi në shtëpitë e të moshuarve në Suedi është në mënyrë drastike më e lartë se në vendet e tjera Nordike – 131 në 1 milion vdekje në Suedi, 55 në Danimarkë dhe 14 në Finlandë .
Pas një strategjie të tillë liberale qëndron epidemiologu shtetëror Anders Tegnel i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Tegnel shton se karantinat afatgjata, sipas mendimit të tij, historikisht nuk kanë pasur rezultat. /reporteri.net