×
  • Lajme
  • Lajme

    Një OJQ pretendon se ministri i AAK-së për Arsim është i përfshirë në skandalin e avancimeve me plagjiaturë në UP

    Reporteri
    29 Prill 2020 | 17:27

    Partia e Ramush Haradinajt, AAK ka arritur marrëveshje me LDK-në për bashkëqeverisje.
    AAK me këtë marrëveshje ka marrë përsipër Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe këtë dikaster ia ka besuar, Ramë Likajt.


    Por, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim e ka kundërshtuar propozimin e Likajt si ministër të MAShT-it.

    “ORCA ka pranuar me shqetësim propozimin e Ramë Likajt të AAK-së për emërim si Ministër i Arsimit. ORCA konsideron se ky propozim është i dëmshëm për arsimin në Kosovë në përgjithësi dhe për arsimin e lartë në veçanti”, thuhet në reagimin e tyre.
    Sipas ORCA-s, Likaj si profesor në UP është avancuar në mënyrë të dyshimtë.

    “Ramë Likaj është i përfshirë në skandalin më të madh të Universitetit të Prishtinës si një nga profesorët e avancuar përmes plagjiaturës dhe mashtrimit akademik i njohur si rasti i Supermenëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike”, thotë ORCA.

    “Ramë Likaj është avancuar nga pozita e profesorit të asocuar në atë të profesorit të rregullt në vitin 2018 përmes një procesi mashtrues. Ramë Likaj me rastin e avancimit të tij ka paraqitur 19 punime shkencore brenda 1 viti e gjysëm, sa 19 fishi i kolegëve të tij norvegjezë që arrijnë të publikojnë jo më shumë se 1 punim në vit”, thuhet më tej në reagimin e tyre.

    Ky është reagimi i plotë i ORCA-s:

    ORCA ka pranuar me shqetësim propozimin e Ramë Likajt të AAK-së për emërim si Ministër i Arsimit. ORCA konsideron se ky propozim është i dëmshëm për arsimin në Kosovë në përgjithësi dhe për arsimin e lartë në veçanti.

    Ramë Likaj është i përfshirë në skandalin më të madh të Universitetit të Prishtinës si një nga profesorët e avancuar përmes plagjiaturës dhe mashtrimit akademik i njohur si rasti i Supermenëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.

    Ramë Likaj është avancuar nga pozita e profesorit të asocuar në atë të profesorit të rregullt në vitin 2018 përmes një procesi mashtrues. Ramë Likaj me rastin e avancimit të tij ka paraqitur 19 punime shkencore brenda 1 viti e gjysëm, sa 19 fishi i kolegëve të tij norvegjezë që arrijnë të publikojnë jo më shumë se 1 punim në vit.

    Së bashku me 7 profesorë të tjerë Likaj është avancuar përmes punimeve në revista fallce të cilat u kanë mundësuar atyre që përmes mashtrimeve akademike të fryjnë numrin e punimeve. ORCA ka zhvilluar një hulumtim të gjerë për të gjitha punimet e profesorëve të denoncuar dhe ka formuar dosje masive prej 492 faqesh, që i është dërguar Këshillit të Etikës së Universitetit të Prishtinës. Në këtë dosje ka dëshmi të qarta se në punimet e përmendura të 8 profesorëve përfshirë dhe Ramë Likajn, ka kopjim pa citim – pra plagjiaturë, gabime drejtshkrimore e gramatikore, si dhe paraqitje të së njëjtës përmbajtje me dy tituj, si dy punime të ndryshme.

    Për më tepër, një vit më vonë në vitin 2019 platforma indeksuese SCOPUS i ka përjashtuar revistat që i kanë publikuar këto punime pasi ORCA i ka denoncuar ato revista edhe në SCOPUS. Pra nuk ka dyshim se punimet e kandidatit për ministër ishin mashtruese dhe se avancimi i tij është jomeritor.

    ORCA e sheh këtë emërim potencial si sulm direkt mbi cilësinë në arsim në Kosovë. ORCA do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta parandaluar dhe luftuar një sulm të tillë duke përdorur të gjitha mjetet demokratike në dispozicion.

    ——————————

    Kronologjia e ngjarjeve

    Më 8 tetor 2018, ORCA ka dorëzuar para Këshillit të Etikës së UP-së, denoncimin për 8 profesorë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, të cilët janë avancuar me punime në revista mashtruese. 8 profesorët kishin publikuar nga 7 deri në 19 punime secili brenda një periudhe 1 vjeçare e gjysmë. Kjo gjë është e pamundur, nëse për asgjë tjetër atëherë për faktin e thjeshtë se një profesor i inxhinierisë mekanike në Norvegji, arrin të publikojë 0.96 punime në vit, pra as një punim të plotë.

    Këta 8 veta u avancuan përmes një grumbulli punimesh. Shumica e punimeve përmbajnë plagjiaturë, gabime në drejtshkrim dhe gramatikë në gjuhën angleze, gjë që e bën të pamundur që ato të botohen në revista cilësore. Megjithatë, revistat ku ishin botuar këto punime ishin të indeksuara në platformën SCOPUS.

    ORCA paralelisht me këtë denoncim, më 6 korrik 2018, i është drejtuar SCOPUS për të ngritur dyshimet për revistat.

    Ndërkohë, ORCA ka zhvilluar një hulumtim të gjerë për të gjitha punimet e profesorëve të denoncuar dhe ka formuar këtë dosje masive prej 492 faqesh, që i është dërguar Këshillit të Etikës. Në këtë dosje ka dëshmi të qarta se në punimet e përmendura të 8 profesorëve, ka kopjim pa citim – pra plagjiaturë, gabime drejtshkrimore e gramatikore, si dhe paraqitje të së njëjtës përmbajtje me dy tituj, si dy punime të ndryshme.

    Më datën 23 prill 2019, SCOPUS ka njoftuar ORCA-n se revistat nuk janë më pjesë e indeksimit për vitin 2019 e tutje: “publikuesi [i revistave] është informuar se mbulimi i SCOPUS për të dy titujt nuk vazhdon për vitin 2019 e tutje.”

    Ky njoftim nga SCOPUS më 8 maj 2019 iu dorëzua Këshillit të Etikës.

    Vendimi i SCOPUS për t’i hequr nga lista për vitin 2019 këto revista shkencore, është mbështetur në vlerësimin për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2017/2018, kur edhe kanë publikuar e kur janë avancuar 8 profesorët.

    Pra, mund të thuhet përtej çdo dyshimi të bazuar se: Ahmet Shala, Ramë Likaj, Azem Kyçyku, Mirlind Bruçi, Naser Lajqi, Nexhat Qehaja, Rexhep Selimaj, Xhevat Berisha, janë avancuar me punime të publikuara në revista mashtruese.

    Megjithatë Këshilli i Etikës nuk ka marrë ende vendim përfundimtar për këtë rast duke e lënë ende pezull atë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!