×
  • Lajme
  • Botë

    7 milionë shtatzëni të padëshiruara, 15 milionë raste dhune mbi gratë, pasojat që OKB parashikon se i sjell coronavirusi

    Reporteri
    29 Prill 2020 | 23:25
    ALFREDO ESTRELLA/AFP/FORBES

    Miliona gra do të humbasin qasjen në kontracepsion dhe kështu do të përballen me shtatzëni të padëshiruara, do të pësojnë dhunë mbi bazë gjinore, thotë ndër të tjera një raport i UNFPA – Fondi i Kombeve të Bashkuara mbi Popullsinë.


    Sistemet shëndetësore të mbingarkuara, ambientet e mbyllura dhe ndërprerja e zinxhirit të furnizimit do të zvogëlojë qasjen në kujdesin riprodhues për gratë dhe vajzat, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta, sipas UNFPA, shkruan Forbes, transmeton Reporteri.

    Duke llogaritur nja gjashtë muaj bllokim, raporti thotë se 47 milion gra në 114 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme ka të ngjarë të humbasin qasjen në kontracepsion (medikamente mbrojtëse) për shkak të pandemisë, duke çuar në 7 milion shtatzëni të padëshiruara, thotë raporti.

    Sipas raportit, për çdo tre muaj bllokim, mund të priten 15 milion raste të reja të dhunës me bazë gjinore.

    Gjatë dekadës së ardhshme, 2 milion gra mund të përjetojnë gjymtime të organeve gjenitale, pasi Kombet e Bashkuara njoftojnë se programet e hartuara për të parandaluar këtë gjë, tashmë janë në pauzë.

    Po sipas këtij raporti, transmeton Reporteri, 13 milion vajza mund të detyrohen të martohen në moshë fëmijërore në dhjetë vitet e ardhshme, e të cilat ka të ngjarë të ishin parandaluar përpara pandemisë, pretendon UNFPA.

    “Këto të dhëna të reja tregojnë ndikimin katastrofik që COVID-19 së shpejti mund të ketë te gratë dhe vajzat në nivel global. Pandemia është një thellim i pabarazive, dhe miliona më shumë gra dhe vajza tani rrezikojnë të humbasin aftësinë për të planifikuar familjet e tyre dhe për të mbrojtur trupin dhe shëndetin e tyre”, tha drejtoresha ekzekutive e UNFPA, Dr. Natalia Kanem.

    Ndërsa gratë dhe burrat kontraktojnë coronavirusin afërsisht me të njëjtën normë, hulumtimi tregon se burrat kanë deri në 2.5 herë më shumë mundësi të shfaqin simptoma të rënda ose kërcënuese për jetën e tyre. /Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!