Autor: Dhurata Prokshi
Këtë vit, shënimi i 1 majit – Ditës Ndërkombëtare e Punës na gjeti të mbyllur, ndryshe nga vitet e kaluara në vendin tonë ku tradicionalisht nga të gjithë qytetarët e Kosovës, të punësuar e të papunësuar shënohej me dalje në natyrë, festë dhe udhëtime për vikendin e zgjatur, e fare pak me organizime të aktviteteve qoftë individuale apo të grupeve të sindikatave për shprehjen e paknaqësisë së të punësuarve e të papunësuarve në vend.
Fakti i të qenurit në gjendje të mbyllur, për shkak të pandemisë globale këtë radhë vërtetë na e ka pamundësuar festën dhe daljet, megjithatë ka prekur thellë nevojën për mirëqenie, jetë dhe punë të dinjitetshme të cilat janë të cenuara në vend ku më të prekurit dhe të diskriminuarit janë punëtorët e sektorit privat, gratë dhe pjestarët e pakicave dhe jo vetëm.
Mungesa e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, ulja e vendeve të punës në sektorin publik, zhvillimi i sektorit privat kryesisht në konsum dhe shërbime, kanë prodhuar ngritje të numrit të përfituesve të skemave sociale dhe papunësi.
Përderisa konkurset dhe mundësia e punësimit në sektorin publik është e ulët përballë kërkesës dhe nevojave dhe interesimit për punë në këto institucione, këto punësime i karakterizon nepotizmi, antarësia partiake dhe regjionalizmi si të tilla i përcjellë edhe pregaditja dhe përvoja jo adekuate e punës për pozitat e caktuara. Kërkesa për punësim në sektorin publik arsyetohet me të kuptuarit si punë stabile, pagë e sigurtë dhe respektim i të drejtave të punëtorëve të garantuara me ligj dhe me konventa të ndryshme ndërkombëtare.
Numri i madh i të papunëve, zbatimi që lë për të dëshiruar i Ligjit të punës dhe funksionimit të mekanizmave relevant për zbatimin e tij, sindikata të dobëta dhe të politizuara që më së paku përfaqësojnë interesat dhe mbrojtjen e dinjitetit të punëtorit kanë krijuar ambient për zhvillimin e punësimit joformal, i cili ofron mundësi të punësimit për persona që kanë mungesë të kualifikimit por jo rrallë ndodhë që edhe personat me pregaditje universitare obligohen që të pranojnë punësim në kushte të tilla të punës.
Për dallim nga punësimi në sektorin publik ku hasen lloje të ndryshme të diskriminimit në punë mbase qysh në rastin e shpalljes së konkursit, diskriminimi i të punësuarve në sektorin privat është më i vrazhdë, duke filluar nga mungesa e kontratës që përcakton kushtet e punës, pagën, orarin e punës, detyrat që i ngarkohen të punësuarit. Si rrjedhojë janë të njohura rastet kur punëtorët kanë humbur jetën si pasojë e punës pa mjete mbrojtëse, sigurim të vendit të punës, janë të njohura veprimtaritë për punë me orare të zgjatura, paga jo të rregullta, mohim të drejtës për pushim të rregulluar me Ligj, kushtëzime dhe ngacmime seksuale në vend të punës, mos pranim pune për shkak të shtatëzanisë, largim nga puna pas lindjes. I gjithë ky ambient i pafavorshëm pune që e vështirëson ekzistencën dhe mirëqenien e qytetarit, ngarkohet edhe me ndryshimet që sjellin fazat emergjente sikurse që është pandemia, duke e thelluar diskriminimin dhe nëse nuk arrijmë të fuqizojmë zbatimin e ligjit dhe të konsolidojmë mekanizmat që do të adresojnë shkeljet e të drejtave të punëtorëve në vendet e tyre të punës do të vazhdojmë të jemi shoqëri e cila vazhdon të luftoj për mbijetesën e saj duke mos kaluar në nivel më të zhvilluar.
Drejtë një procesi të tillë të vetëdijesimit për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve do të arrihej me anë të themelimit, funksionalizimit dhe depolitizimit të sindikatave të punëtorëve. Jemi shoqëri në një shtrirje relativisht të vogël gjeografike, për shkak të cilës funksionimi dhe ekzistenca në bazë të lidhjeve fare fisnore imponohet dukshëm në çdo relacion, përfshirë edhe në funksionimin e sindikatave të punëtorëve. Sindikatat kanë kauza politike, e ato kauza duhet të jenë mbrojtja e të drejtave të punëtorëve dhe sigurimi i kushteve të dinjitetshme të punës, duhet të ndalet nga brenda praktika e të qenurit degë e partive politike brenda sindikatës. Një qasje dhe frymë e tillë e punës ka dëmtuar interesin e punëtorëve, manipulimi i sinidikatave për qëllime të realizimit të agjendave të partive politike duhet të luftohet nga brenda, vetëm një qëndrim kritik konstruktiv në raport me të gjithë akterët do t’i bëj sindikatat dhe punëtorët faktor dhe palë të barabartë në zhvillimin e një shoqërie me mirëqenie stabile ku mund të zhvillohet puna dhe jeta e dinjitetshme. Gëzuar 1 Maji, për punë të dinjitetshme dhe mirëqenie për të gjithë!