×
  • Lajme
  • -->
    Lajme

    Kushtetuesja i përgjigjet letrës së Kurtit: E papranueshme, në kundërshtim me vlerat themelore të Kushtetutës

    Reporteri
    01 Maj 2020 | 19:48

    Një letër plot akuza e Kryeministrit Albin Kurti në adresë të Gjykatës Kushtetuese ka marrë sot përgjigje nga ky institucion. Në aktgjykimin për lenden e Partisë Demokratike të Kosovës, në lidhje me vendimet për kufizimin e lëvizjes në këtë kohë pandemie, Gjykata ka shkruar edhe në lidhje më një parashtresë që Kryeministri Kurti ua kishte dërguar më 23 Prill 2020, shkruan Reporteri.


    Në këtë parashtresë, që Reporteri.net e publikoi sot, Kurti e quan Gjykatën Kushtetuese të anshme dhe joprofesionale. Për më tepër, thotë se Gjykata po bën dy shkelje ligjore në këtë rast, në lidhje me afatin për dhënien e përgjigjeve nga ana e palëve.

    Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë lëndë, komentohet edhe kjo parashtresë e Kurtit.

    “Gjykata, këtë parashtresë, si dhe të gjitha të tjerat, e ka ndarë me palët e interesuara në këtë rast. E njëjta, do të publikohet në tërësinë e saj bashkë me Aktgjykimin KO61/20, i cili përmban edhe sqarimet e nevojshme përkitazi me këtë parashtresë. Megjithatë, Gjykata thekson fuqishëm se qasja e Qeverisë ndaj Gjykatës që reflekton kjo parashtresë, është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themelore të Kushtetutës së Republikës”, thuhet nder të tjera në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese, transmeton Reporteri.

    “Gjykata rithekson se ajo është organ i pavarur në mbrojtje të Kushtetutës dhe është interpretuesi përfundimtar i Kushtetutës. Gjykata gjithashtu rikujton se Kushtetuta i atribuon asaj pavarësi të plotë në kryerjen e përgjegjësive të saj. Për më tepër, është detyrim kushtetues i Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës të respektojnë dhe të mos ndërhyjnë në këtë pavarësi. Gjykata gjithashtu i rikujton Qeverisë se Kushtetuta nuk i atribuon asaj asnjë kompetencë përkitazi me vendimmarrjen e pushtetit gjyqësor. Respektimi i vlerave themelore kushtetuese, lidhur me ndarjen e pushteteve, pavarësinë e pushtetit gjyqësor, pavarësinë dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbrojtjen e sundimit të ligjit, është detyrim kushtetues i të gjitha degëve të pushtetit të Republikës së Kosovës.

    Gjykata në fund, thekson faktin se pavarësisht situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, dhe e cila ka afektuar mbarë botën, sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës duhet të mbizotërojnë. Këtë e ka theksuar edhe Këshilli i Evropës në Dokumentin Informativ SG/Inf(2020)11 të 7 prillit 2020 për Respektimin e Demokracisë, Shtetit të së Drejtës dhe të Drejtave të Njeriut në kuadrin e Krizës Sanitare të COVID-19, por edhe Opinionet e Komisionit të Venecias, përfshirë atë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në raste të Emergjencave dhe Listën e Kontrollit të Shtetit të së Drejtës. Të gjitha institucionet e Republikës janë të detyruara të veprojnë në përputhje të plotë me kompetencat përkatëse kushtetuese dhe ligjore si dhe në përputhje me Aktgjykimet e Gjykatës”, thuhet në përgjigje e Gjykatës Kushtetuese. /Reporteri/.

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!