Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me Kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe krerët e federatave sportive për të bashkërenduar veprimet dhe hapat, pas lehtësimit të masave të izolimit për shkak të pandemisë COVID-19.
Ministrja Dumoshi ka kërkuar nga organizatat sportive që konkretisht të raportojnë në Departamentit të Sportit se në cilën fazë gjenden dhe cilat janë nevojat e emergjente që ato kanë në mënyrë që institucionet përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet tjera ndërlidhëse të qartësojnë se si do të realizohet vazhdimi i përgatitjeve të sportistëve dhe zhvillimi i garave sportive në federatat përkatëse.
Ministrja ndër tjera u shpreh se MKRS-ja ka nënshkruar memorandume me secilën organizatë sportive dhe për të dëshmuar përkrahjen dhe bashkëpunimin me KOK-un dhe federatat sportive, ka ftuar drejtuesit e tyre për të qartësuar dhe koordinuar hapat e mëtejmë për të nisur gradualisht jetën sportive në vend deri në normalitet.
“Ne bashkë me KOK-un dhe federatat e sportit në Republikën e Kosovës, do t’i drejtohemi me një letër të përbashkët institucioneve shëndetësore në vendin tonë për të na e qartësuar dhe lejuar fillimin e përgatitjeve, ushtrimeve të sportistëve dhe vazhdimin e garave dhe aktiviteteve tjera sportive”, tha ministrja Dumoshi duke e vlerësuar si një hap të duhur dhe në interes të gjitha organizatave sportive sepse kërkesa njëzëri pa e trajtuar secilin sport veç e veç tregon për një unitet që mbizotëron në sportin e Kosovës dhe tregon për disiplinën që e karakterizon atë.