×
  • Lajme
  • Lajme

    ‘Uzurpim i zyrave’, ‘protesta’, ‘respektim’, ‘drejtësi’, ‘kapje’ – çka do të sjell vendimi i Kushtetueses rreth mandatarit

    Reporteri
    15 Maj 2020 | 17:27

    Një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mund të definojë shumë zhvillime politike në vend. Deri më 29 Maj kjo gjykatë ka afat të vendos për dekretin e Presidentit Hashim Thaçi për ta mandatuar Abdullah Hotin për Kryeministër. VV ka dhënë shenja se do te përkrahte protestat nëse vendimi nuk është në favor të tyre, pasi ata konsiderojnë se e drejta është në anën e tyre. Ndërkaq palët tjera kanë thënë se do ta respektojnë. Në këtë mes është pyetur shpesh Qeveria, nëse do të lirojnë pozitat për një Qeveri të re, eventuale, shkruan Reporteri.


    Hashim Thaçi nuk pati ndonjë arsye specifike pse doli sot në konferencë për shtyp, ani pse të gjithë e prisnin ndryshe. Megjithatë ai foli për zhvillimet aktuale politike dhe nuk harroi ta sulmojë edhe Vetëvendosjen që e drejton Qeverinë. Presidenti i vendit dhe Qeveria janë në betejë kushtetuese deri më 29 Maj. Vetëvendosje ka kontestuar një dekret të Thaçit për ta mandatuar Avdullah Hotin për Kryeministër.

    Ai sot beri thirrje që vendimi që do të dalë, duhet të respektohet. Madje bëri thirrje që edhe institucionet të lirohen, nëse bëhet ndonjë qeveri e re. Nuk dha ndonjë deklaratë nëse ka informacione se do të ndodhë ndonjë bllokadë fizike apo diçka tjetër.

    “Presidenca ka dorëzuar në Kushtuese, argumentet për dekretin e Avdullah Hotit. Qenësore për demokracinë në Kosovë është që Kushtetuesja të punojë e pavarur, pa presione nga cila do palë, qoftë politike, shoqëria civile, e as ndërkombëtarët. Askush nuk mund ta bllokojë vendin dhe institucionet. Për këtë arsye ftoj edhe një herë që të gjithë ti respektojnë demokracisë së vendit dhe respektimit të institucioneve të pavarura”, u shpreh Thaçi. “Askush nuk ka të drejtë të mbajë të uzurpuar asnjë zyre të Qeverisë”, u shpreh ai.

    Që prej dërgimit të dekretit në Kushtetuese, ka një debat publik të madh se çfarë vendimi duhet të jetë dhe se sa do të ketë ndikim ky vendim, në jetën politike të Kosovës, tash e sa kohë në drama, shkruan Reporteri.

    Aktivistë të shoqërisë civile, të përkrahur nga Vetëvendosje haptas, kanë mbajtë edhe protesta si paralajmërim për Gjykatën Kushtetuese.

    Arbër Vokrri, aktivist i VV-së ka thënë se protesta para një jave ishte provë se munden që edhe në kohë pandemie të shprehin pakënaqësinë në rrugë.

    “Kjo ka qenë veç parapërgatitje për me deshmu se mundet me u manifestu publikisht pakënaqësia popullore me situatën aktuale politike në vend edhe me ndonjë vendim nga Gjykata Kushtetuese që mund të mos e respektojë, në fakt vetë Kushtetutën. Aty dëshmuan që mundemi edhe në këto rrethana, edhe në kohë të pandemisë që të mblidhemi në hapësirë publike duke mbajtë distancën edhe me masa tjera mbrojtëse”, ka thënë ai për Klan Kosova.

    Por, a do të ketë protesta të tjera, nëse vendimi nuk shkon në favor të VV-së? Zyrtarët e saj nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje direkte, pro kanë lënë të nënkuptojnë se do të dalin në rrugë në masa të ndryshme mbrojtëse, për të protestuar.

    Para dy dite, kreu i saj, Albin Kurti e tha këtë gjë:

    “Nuk inkurajojmë dhe nuk mbështesim tubimet, mund të kemi mirëkuptim për nevojën e qytetarëve të pakënaqur që ta shprehin pakënaqësinë e tyre, ne e dimë që këtë e kanë bërë edhe nga ballkonet e ndërtesave në mënyrë masive, fillimisht në Prishtinë, pastaj edhe në tjera qytete. Theksojmë se nuk mbështesim dhe nuk inkurajojmë tubimet e qytetarëve, tash kur jemi në minutat e fundit të ndeshjes me coronavirusin. Edhe ata qytetarë që ishin dje këtu nuk qëndruan gjatë, ishin vetëm disa minuta”, tha Kurti kur u pyet për protestën provë.

    Se nuk do të ndalin ‘mllefin qytetar’ e ka konfirmuar edhe Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ai teksa ka pohuar këtë, po ashtu ka thënë se me dhunë nuk do t’i mbanin postet.

    “Normalisht që me dhunë nuk do të mbajmë poste, por është e qartë se çfarëdo padrejtësie në këtyre vend ngjall edhe reaksionin e qytetarit. Nuk mund të kemi dy lloj rregullash në të njëjtat situata, vetëm pse në një moment të caktuar i konvenon dikujt”, tha ai mbrëmë në Rubikon.

    Kolegia e tij në Qeveri, Albulena Haxhiu nuk dha përgjigje të prerë se vendimi duhet të respektohet.

    “Po e kërkoni përgjigje formale. Nuk e shoh situatën me po ose jo për shkak se duhet të analizojmë përmbajtjen dhe rrethanat”, tha ajo në të njëjtin emision.
    Analistët dhe faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje që të ketë respekt ndaj vendimeve të Kushtetuese. Të njëjtën gjë e kanë avokuar edhe njohës të së drejtës kushtetuese dhe opinionist, shkruan Reporteri.

    Gjykata Kushtetuese ka pasur mjaftë shumë punë këto javë. Është përballë me dy lëndë për kufizimin e lirisë së lëvizjes në kohë pandemie, dhe të dy herët Qeveria është konstatuar se nuk ka respektuar dispozitat kushtetuese. Është përballë edhe me një letër plot akuza në drejtim të saj, nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    I janë përgjigjur edhe asaj letre duke e quajtur të papranueshme. Ndërkohë, po merren edhe me thirrjet e presidentit të Kosovës që të mos respektojnë masat e Qeverisë pasi janë anti-kushtetuese, një lëndë e dërguar nga Vetëvendosje.

    Në historinë e saj, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dy presidentë, ka prishur një bllok anti PDK në 2014, ka shpallur kundër frymës kushtetuese, marrëveshjen për asociacionin. Këto vendime deri tash ishin respektuar, ani pse nga disa palë me shumë rezerva./Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!