×
  • Lajme
  • Lajme

    Nga erdhi komunikata kërcënuese e ‘Gardës Vullnetare Shqiptar’, flet zëdhënësi i Qeverisë

    Reporteri
    19 Maj 2020 | 21:27

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti postoi një shkrim që ngjalli menjëherë reagime dhe pati kontradikta.


    Ai foli për një kërcenim që i qenka bërë atij dhe Gjykatës Kushtetuese. Statusin më pas e ndryshoi, shkruan Reporteri.

    Një komunikatë që thuhet se është nga “Garda Vullnetare Shqiptare” është publikuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Facebook. Ai thotë se një komunikatë e tillë është një kërcenim jo për të, por ai thotë se në fakt i drejtohet Gjykatës Kushtetuese e Vetëvendosjes.

    “Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër.

    Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata.

    Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin.

    Dekreti i Presidentit nuk është amandament kushtetute. Për çka nuk flet Kushtetuta nuk mund të flasë Presidenti. Ai duhet ta respektojë Kushtetutën dhe nuk mund ta shkruajë atë.

    Ne jemi duke i ndjekur me kujdes zhvillimet teksa po presim Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Në zgjedhjet e ardhshme do ta thellojmë diferencën si asnjë subjekt tjetër i parë në Kosovën e pasluftës”, ka shkruar ai në Facebook.

    Por, nga erdhi ky kërcenim në adresë të Kurtit dhe që më pas doli në publik?

    Reporteri.net ka biseduar më zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziu i cili tha se ky kërcenim është publikuar në rrjetin social Facebook.

    Deri më tani nga policia nuk ka pasur ndonjë njoftim se kanë marrë menjëherë masa për ta hetuar këtë komunikatë. Zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu ndërkaq ka shpjeguar se pse Kurti e editoi postimin e tij fillestar duke fshirë një pjesë të tekstit.

    “Pyetjet e njëanshme që thuhet se janë bërë nga Gjykata Kushtetuese në Forumin e Venedikut shpresojmë se janë lajm i rremë. Ndërkaq, ‘dokumentet’ në 3800 faqe nga koha e shkrimit të Kushtetutës, të humbura për vitin 2014 e të ‘gjetura’ tani, e kanë pasur afatin e skadencës porsi regjimi i vjetër – 6 tetor 2019!”, shkroi Kurti në shkrimin e parë.

    Ndërsa, në shkrimin e dytë, këtë pjesë Kurti e fshiu, duke lënë vetëm shkrimin e mëposhtëm: “Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër”.

    Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, shpjegoi përmes facebook-ut se pse Kurti editoi postimin e tij.

    “Sot lajm është kërcënimi ndaj Kryeministrit. Statusi është ndryshuar për shkak se asistenti personal i tij e ka postuar një version më të vjetër. Në lidhje me Forumin e Venedikut dhe ‘dokumentet’ nga koha e shkrimit të Kushtetutës, Kryeministri e ka lënë të merret në një postim të veçantë më vonë. Edhe njëherë, Kryeministri i Republikës së Kosovës është kërcënuar me jetë.”, ka thënë ai. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!