×
  • Lajme
  • Lajme

    Zëvendësministri i VV-së e lidhë kërcënimin ndaj Kurtit me presidentin Thaçi

    Reporteri
    20 Maj 2020 | 11:58

    Zëvendësministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Enver Dugolli ka komentuar kërcënimin serioz që ka marrë dje kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nga organizata e ashtuquajtur “Garda Vullnetare Shqiptare”.


    Përmes një shkrimi në Facebook, zv/ministri dhe ish-koloneli i ushtrisë së Kosovës (FSK-së) kërcënimin ndaj shefit të ekzekutivit e lidhë me qëndrimet e presidentit të Republikës, Hashim Thaçi.

    “Gjuha e përdorur në këtë komunikatë ogurzeze, qenka në sinkron me nervozet e Presidentit dhe regjimit të vjetër”, ka deklaruar ai.

    Më tej, Dugolli nënvizoi se fitorja e LVV-së është e mira ndaj të keqes e cila ka marr rrugë. “Asnjë kërcënim, nga kushdo qoftë, nuk na frikëson e nuk na dobëson! Ne jemi me popullin dhe për popullin, ndërsa atyre (regjimi të vjetër), nuk u ka mbetur tjetër.#MeKryeministrin”, ka shkruar ai.

    Ndryshe, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj është deklaruar rreth kërcënimit që i është bërë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Për këtë kërcënim serioz, sipas tij, janë duke u zhvilluar hetimet. “…për këtë rast janë kontaktuar edhe zyrtarët e Facebook”.

    Organizata “Garda Vullnetare Shqiptare”, sipas Albin Kurtit, e ka kërcënuar atë dhe kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi.

    “Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër”, shkruhet në statusin e kryeministrit Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!