Për çdo vit që nga përfundimi i luftës në Kosovës, përpos sivjet, të mbijetuarit, familjarët e personave të vrarë, institucione, institute, këshilla, media kanë përkujtuar masakrën në burgun e Dubravës, në të cilën forcat ushtarake e policore serbe, të ndihmuara edhe nga gardianët dhe të burgosurit serb, kanë kryer krime brenda dhe në oborrin e burgut, ku patën vrarë dhe masakruar qindra shqiptarë.
Po mos të mos shpërthente pandemia Covid-19, sot, si mot, në burgun e Dubravës do të mbahej tubimi përkujtimor në nderim të të rënëve në Dubravë.
Por, për shkak të pandemisë, Këshilli Organizativ i tubimit përkujtimor në burgun e Dubravës ka njoftuar të gjithë familjarët e të rënëve në burgun e Dubravës, të gjithë të plagosurit e të mbijetuarit dhe qytetarët e Kosovës, që për nderë të përvjetorit të 21-të të masakrës së Dubravës nuk do të ketë organizim dhe homazhe siç ka ndodhur çdo vit.
“Çdo vit më datën 22 maj kemi vizituar vendin e të rënëve brenda hapësirave të burgut të Dubravës, por në këtë përvjetor, për shkak të situatës pandemike, jemi të detyruar të anulojmë këtë vizitë”, ka njoftuar Këshilli Organizativ.
Po me këtë datë, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve të Memorialeve, të cilën e drejton ish i burgosuri, tash drejtor i kësaj agjencia, Bislim Zogaj, ka qenë e planifikuar të përurohet një memorial me emrat e të gjithë të vrarëve, të plagosurve dhe të mbijetuarve në burgun e Dubravës. Por, për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemi, memoriali ka mbetur pa përfunduar, prandaj përurimi i tij pritet të bëhet në përvjetorin e 22-të të kësaj masakre, thuhet ne njoftimin për media nga këshili organizativ.