Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ndryshuar pak pozicion. Tani ka zbutur fjalorin ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe akuzon Presidentin Hashim Thaçi se po bën presion. Dikur vepronte ndryshe. Kanë mbetur edhe pak ditë deri të data e fundit, 29 Maj, kur Kushtetuesja duhet të publikojë vendimin për Dekretin e Presidentit për ta mandatuar Avdullah Hotin për Kryeministër, shkruan Reporteri.
Një reagim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ishte i rrallë mbrëmë. Në disa rreshta, ky institucion kërkoi nga të gjithë e në veçanti, Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti Hashim Thaçi që të mos bëjnë presion ndaj tyre.
“Gjykata Kushtetuese po ndjekë me shqetësim diskursin publik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga Presidenti dhe Kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike, të cilët duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e
mandatarit për krijimin e Qeverisë së re. Gjykata Kushtetuese e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e akterëve politik dhe institucional për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore”, thuhet në këtë deklaratë të Gjykatës.
Ky reagim i tyre duket jo pak i rastësishëm, duke parë zhvillimet në javët e fundit, në veçanti prej se ka filluar Qeveria Kurti dhe pandemia, shkruan Reporteri.
Ndonëse tani Kryeministri aktual, Albin Kurti tani po tenton të ndryshojë diskursin ndaj Gjykatës Kushtetuese, para gati dy muajve kishte tjetër qasje ndaj këtij institucioni. Si asnjëherë më parë një Kryeministër, Kurti kishte nisur një letër në adresë të Kushtetueses, të cilën së pari e kishte publikuar Reporteri.
Dyshime për joprofesionalizëm, shkelje të ligjit, e anshmëri në vendim, nga ana e Gjykatës Kushtetuese kishte ngritur Kryeministri në Detyrë Albin Kurti, në një shkresë drejtuar kryetares së kësaj Gjykate Arta Ramës, në lidhje me trajtimin e kushtetutshmërisë së vendimit të dytë të ekzekutivit për kufizimin e lirë së lëvizjes së qytetarëve në kohë pandemie. Shkresa në fjalë është e pa precedent, e datës 23 Prill, ku shefi i ekzekutivit, i zgjedhur me mandat politik, revanshohet në akuza ndaj institucionit më të lartë juridik dhe të pavarur në vend, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kjo shkresë kishte marrë përgjigje pas publikimit të vendimit pikërisht për këtë lëndë.
“Gjykata, këtë parashtresë, si dhe të gjitha të tjerat, e ka ndarë me palët e interesuara në këtë rast. E njëjta, do të publikohet në tërësinë e saj bashkë me Aktgjykimin KO61/20, i cili përmban edhe sqarimet e nevojshme përkitazi me këtë parashtresë. Megjithatë, Gjykata thekson fuqishëm se qasja e Qeverisë ndaj Gjykatës që reflekton kjo parashtresë, është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themelore të Kushtetutës së Republikës”, thuhet nder të tjera në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese, transmeton Reporteri.
“Gjykata rithekson se ajo është organ i pavarur në mbrojtje të Kushtetutës dhe është interpretuesi përfundimtar i Kushtetutës. Gjykata gjithashtu rikujton se Kushtetuta i atribuon asaj pavarësi të plotë në kryerjen e përgjegjësive të saj. Për më tepër, është detyrim kushtetues i Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës të respektojnë dhe të mos ndërhyjnë në këtë pavarësi. Gjykata gjithashtu i rikujton Qeverisë se Kushtetuta nuk i atribuon asaj asnjë kompetencë përkitazi me vendimmarrjen e pushtetit gjyqësor. Respektimi i vlerave themelore kushtetuese, lidhur me ndarjen e pushteteve, pavarësinë e pushtetit gjyqësor, pavarësinë dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbrojtjen e sundimit të ligjit, është detyrim kushtetues i të gjitha degëve të pushtetit të Republikës së Kosovës. Gjykata në fund, thekson faktin se pavarësisht situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, dhe e cila ka afektuar mbarë botën, sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës duhet të mbizotërojnë. Këtë e ka theksuar edhe Këshilli i Evropës në Dokumentin Informativ SG/Inf(2020)11 të 7 prillit 2020 për Respektimin e Demokracisë, Shtetit të së Drejtës dhe të Drejtave të Njeriut në kuadrin e Krizës Sanitare të COVID-19, por edhe Opinionet e Komisionit të Venecias, përfshirë atë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në raste të Emergjencave dhe Listën e Kontrollit të Shtetit të së Drejtës. Të gjitha institucionet e Republikës janë të detyruara të veprojnë në përputhje të plotë me kompetencat përkatëse kushtetuese dhe ligjore si dhe në përputhje me Aktgjykimet e Gjykatës”, thuhet në përgjigje e Gjykatës Kushtetuese.
Nga na tjetër, nga Kabineti i Thaçit nuk kishin dërguar letra por kishin bërë publikime të ndryshme në media, duke dhënë argumentet e tyre se pse duhet Gjykata të vendos në favor të dekretit. Ishte cilësuar si presion një shkrim nga këshilltari i Thaçit, Ismail Syla. Ai para pak ditëve kishte folur për atë se si duhet të vendoste Gjykata.
Ismail Syla, këshilltar i Presidentit ka shkruar për momentum kushtetues në të cilin ndodhet vendi. Duke mbrojtur Thaçi, ai ka përmendur të dhëna e momente historike në politiken kosovare, që sipas tij çojnë drejt një vendimi të Gjykatës Kushtetuese pro dekretit të presidentit për Avdullah Hotin.
Dje ndërkaq, Kryeministri ka publikuar një komunikatë që sipas tij ka ardhë në formë elektronike në Facebook e që i drejtohet atij por ai e ka quajtur si kërcenim ndaj Gjykatës dhe Vetëvendosjes. E nënshkruar nga ‘Garda Vullnetare Shqiptare’, letra, vërtetësia e së cilës ende nuk është konfirmuar, shkruan kundër një vendimi pro VV-së.
Nga tabori i pensionistëve është konsideruar se i gjithë diskursi i deritanishëm është një ndërhyrje direkte në Gjykatën Kushtetuese. Nga kampi i ndërkombëtarëve nuk kanë thënë asnjë fjalë. Ditë më parë Reporteri komunikoi me Ambasadën Amerikën dhe Zyrën e BE-së në lidhje me letrën e Kurtit dhe punën e Gjykatës, por ata thanë se nuk japin komente për zhvillime të tilla. /Reporteri