Me 88 vota pro, 16 kundër dhe 3 abstenim Parlamenti ka miratuar projektligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”. Ligji i propozuar nga Këshilli i Ministrave dhe konkretisht nga ministria e Financave, ka të bëjë me rregullimin e tregut të monedhave digjitale dhe virtuale, duke nisur nga licencimi i subjekteve që do të ushtrojë një aktivitet të tillë dhe deri tek kushtet e tregtimit të kësaj monedhe.
Ligji është një iniciativë e politikave të brendshme të qeverisë dhe nuk vjen si direktivë e Bashkimit Evropian dhe sipas konkluzioneve të qeverisë shqiptare, aplikimi i monedhës virtuale mund të sjellë përfitime për ekonominë e vendit.
Kjo synohet të arrihet përmes “burimeve alternative të financimit” si dhe tërheqjen e investitorëve të huaj. Por gjithashtu shihet se Shqipëria mund të ketë një përfitim të madh sa i takon transferimit të remitancave, duke shmangur kështu koston e transfertave.
Në vendim thuhet se, zbatimi dhe monitorimi kryhen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Aktualisht, tregu i aktiveve virtuale arrin në rreth 130 miliardë USD, në terma kapitalizimi, si dhe ekzistojnë rreth 2000 aktive virtuale të ndryshme. Sipas një studimi mbi 70% e tyre është e lidhur me raste mashtrimi apo skemash piramidale, të gjitha këto raste janë rrjedhojë e faktit që në shumicën e vendeve të botës ky aktivitet është i parregulluar.
Miratimi i një ligji të tillë nga Shqipëria vjen në një kohë kur kjo fushë paraqet ende shumë risqe dhe ende nuk lejohet nga shumica e vendeve në botë. Disa nga risqet kryesore janë krijimi i skemave mashtruese apo skemave të pa autorizuara, rreziku i përdorimit të aktiveve virutale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut.
BE-ja nuk ka një legjislacion rregullator të formalizuar dhe aktualisht janë tre vende të cilat kanë zhvilluar një legjislacion dhe kuadër rregullator lidhur me monedhën virtuale. Vendi i parë që ka miratuar një ligj të tillë është Malta, ndërsa dhe parlamenti i Lihtenshtejnit ka miratuar ligj për “Blockchain” ndërsa Franca ka miratuar ligjin dhe po ndërmerr një strategji për zhvillimin e teknologjisë blackchain.
Ky ligj pavarësisht miratimit sot në Parlament do të hyjë në fuqi më 1 shtator 2020, pasi gjatë muajve të mbetura pritet miratimi i akteve nënligjore dhe akteve rregullatorë.