Luan Dalipi, shef i kabinetit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është marrë paksa me skemën programore të RTK-së, ku ka shprehur kritikat e tij për serialin ‘Çka ka shpija’ që transmetohet në televizonin publik.
Dalipi ka shkruar në profilin e tij në Facebook se i pengon që ky serial transmetohet në RTK, e që sipas tij ka plot sjellje degjeneruese dhe pa elemente edukuese për fëmijët, shkruan Reporteri.net.
“Tani seriali “Çka ka shpia” ne RTK me plot sjellje degjeneruese. Me pengon fakti qe këso seriale pa shije, pa kreativitet e mbi te gjitha pa elemente edukuese për fëmijët shfaqen ne televizionin tone publik, te paguar me taksat e qytetareve. Uroj qe deputetet e zgjedhur ne legjislaturën e ardhshme ta transformojnë këtë medium”, ka shkruar Dalipi.
Ndaj tij ka reaguar ashpër kryeredaktori i RTK-së, Xhymret Veliu, i cili i ka thënë Kurtit se nuk mund të ndjekin shijet personale të tij, shkruan Reporteri.net.
“Luan, nuk është emision për fëmijë, por serial argëtues me staf të angazhuar dhe të dëshmuar për sukses në këtë fushë. Nëse i konteston emrat e aktorëve dhe regjisorit duhesh me pas kredit profesional për këtë çështje. Më vjen keq që nuk tu ka përshtat shija e humorit, fatkeqësisht nuk mund të ndjekim shije personale”, ka reaguar Veliu.
/Reporteri.net/.