Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur edhe një herë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti uzurpator, i cili sipas tij ka bërë shkelje të rënda Kushtetuese.
Thaçi ka thënë se për 70 ditë Kurti ka bërë dy shkelje të rënda kushtetuese dhe ende vazhdon të qëndrojë në karrigën e kryeministrit, shkruan Reporteri.
Thaçi ka thënë se është shqetësuese mosreagimi i opinionit publik e ndërkombëtarëve lidhur me këto shkelje të Kurtit gjersa ka thënë se ata janë të kërcënuar nga Kurti dhe grupi i tij.
“Ne kemi një njeri që realisht brenda 70 ditësh ka shkelur dy herë rëndë Kushtetutën dhe tani ka uzurpuar zyrën e kryeministrit me dy shkelje të rënda të kushtetutës dhe me një shkarkim nga parlamenti. Kemi një uzurpim dhe një sjellje totalisht të jashtëligjshme. Në anën tjetër ne kemi pasur rastin që dy president janë larguar kur është konstatuar se ka pasur shkelje. Ata kanë treguar kulturë të lartë politike. Tash për fat të keq ai është mbyllur në zyre.Shqetësuese është mosreagimi i opinionit publik, mediave, ndërkombëtarëve. Nuk reagojnë sepse janë të frikësuar, shantazhuar nga Kurti dhe grupi i tij. Unë as nuk frikësohem as nuk shantazhohem por mbroj Kushtetutën. Nuk do të lejojmë që gjërat e tilla të anashkalohen kaq lehtë”, u shpreh Thaçi në Debat Plus.