Një postim interesant në faqen e tij në Facebook ka bërë sot Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari. Ky postim, vjen një ditë pas konfirmimit që Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj dhe ish kryetari disavjeçar i kësaj komune, Sami Lushtaku konfirmoi se do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme lokale, shkruan Reporteri.
Në zgjedhjet lokale 2017, në Skenderaj, bastioni i fuqishëm i Partisë Demokratike të Kosovës në një mënyrë iu dorëzua si pa garë, Bekim Jasharit, djalit të heroit Hamëz Jasharit.
Kur Bekim Jashari bëri të ditur kandidaturën si i pavarur, ish kreu i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku deklaroi se nuk garon përballë familjes Jashari dhe vendosi të tërhiqej.
Njëjtë thanë edhe në PDK në qendër. Një pjesë e PDK-së në Skenderaj u rreshtuan me Jasharin dhe kjo shkarkoi përçarje që duket se vazhdojnë ende edhe sot, shkruan Reporteri.
Kur kanë mbetur edhe më shumë një vit nga zgjedhjet e reja lokale, duket se do të kemi garë të fortë. Kreu i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku ka konfirmuar dje në TV Dukagjini se do të kandidojë.
“Një prej dëshirave të mia ka qenë penda e qytetit. E kam filluar ta bëjë edhe qendrën e familjes së dëshmorëve. Për fat të keq ashtu si e kam lënë unë ashtu ka mbet dhe askush asnjë tullë nuk e ka vendos”, tha ai. Lushtaku tha se ia ka lëshuar Bekim Jasharit pozitën e kryetarit por në zgjedhjet e ardhshme lokale ka vendosur të kandidojë përsëri për kryetar të Komunës.
“Kam vendosur përsëri të kandidojë dhe t’i mbarojë projektet e lëna në gjysmë. Unë prej katër vitesh edhe pse kam pasur përkrahjen e qytetarëve nuk kam mundur të jem kryetar dhe t’i kryej obligimet që më takojnë”, tha ndër të tjera Lushtaku.
Një ditë pas, kreu i Komunës së Skenderajt ka bërë një postim indikativ se mund të jetë edhe ai pjesë e garës.
Ai postoi një fotografi me nënkryetarin Nuredin Lushtaku e kreun e Drenasit, Ramiz Lladrovci – të dyte zyrtarë të PDK-së, shkruan Reporteri.
“Si çdo herë bashkë, me sinqeritet e qetësi…”, ka qenë mbishkrimi i kësaj fotografie.
Fotografia duket të jetë bërë në një restauranet, që nëse është bërë sot, atëherë duket çudi se qenkan e hapur restaurantet, derisa me rregull ato hapen nesër.
Por, nuk ka qenë vetëm Jashari që ka shkruar postim që ngjallë dyshime për hyrje në garë.
Leutrim Sahiti, që është këshilltar i tij ka shprendarë fotografinë dhe ka shkruar:
“Bekim Jashari #pabalotazh plus 4”, ka shkruar ai./Reporteri