Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, njëherazi nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) i beson anketës së UNDP-së, e cila tregon se rreth 60 përqind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Qeverisë së udhëhequr nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe rreth 72 për qind me atë të kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.
Rezultatet e asaj ankete ishin kontestuar nga kryetari i LDK-se, Isa Mustafa, që ka insistuar se Qeveria e udhëhiqur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka punuar mirë.
Kryetari i LDK-së i kishte reaguar ambasadorit gjerman, i cili kishte shpërndarë këtë sondazh. Mustafa dyshonte se si mund të vlerësohej puna e institucioneve të bllokuara nga coronavirusi nuk kishin mbajtur takime dhe kishin qenë jofunksionale.
“Nuk besoj, poashtu, që institucionet e bllokuara nga Covid-19, të cilat nuk mbajnë takime dhe aktualisht janë jofunksionale, marrin përkrahjen e mbi 3/4 të të anketuarëve me telefon nga UNDP për punën e mirë të tyre”, thoshte Mustafa.
Sidoqoftë, kreu i LDK-së ka qenë i ashpër ndaj kryetares Vjosa Osmani edhe më herët, ku e kritikonte për qasjen destructive ndaj partisë. Ai, madje, kishte paralajmëruar edhe masa./Reporteri.net