Kryesia e Kuvendit, e udhëhequr nga Vjosa Osmani, ka vendosur që nesër të mbahet seanca ku edhe pritet të votohet Qeveria “Hoti” e kryesuar nga LDK-ja.
Kjo është konfirmuar nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Gashi ka thënë se është i bindur që nesër Kosova do ta ketë qeverinë e re, mirëpo nuk ka treguar se sa vota i ka koalicioni që po synon të qeverisë me vendin, shkruan Reporteri.
“Mendoj se është e padinjitesshme që deputetët të konsiderohen si vota. Nesër secili deputet e ka shancën ta japë vlerësimin e tij në Kuvend. I kemi votat. Nuk e kam atë problem as nuk merrem me atë çështje. A janë 60 apo 70 vendoset nesër. Osmani është kryetare e Kuvendit dhe vendosë vetë si do të veprojë. Mbetet në diskrecionin e tyre si do të veprojnë. Ky është një proces demokratik, legjitim dhe legal.Për hir të dinjitetit ndaj qeverisë nuk dua të përdorë numra. Jemi të bindur se nesër do ta kemi qeverinë”, u shpreh Gashi.
I pyetur se ekziston një marrëveshje mes LDK-së e Thaçit, që ky i fundit të jetë sërish president, Gashi ka thënë se nuk ekziston një marrëveshje e tillë.
“Pyetje shumë sugjestive. Ne dhe PDK nuk jemi në koalicion qeverisës. Nuk mund ta besoj se si e ndërtoni një pyetje kaq sugjestive. Ne kemi një partner qeverisës. Ne jemi partia serioze, partia kyçe e koalicionit dhe natyrisht se do të jetë faktor në këtë proces”, ka thënë Gashi. /Reporteri.net