Reshjet e shiut në fund të muajit maj dëmtuan jashtëzakonisht shumë bujqit në komunën e Mamushës.
Më 25 maj kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, të shoqëruar nga kryetari i Mamushës, Abdulhadi Krasniq vizituan nga afër disa nga bujqit që pësuan dëme të mëdha, ku edhe premtuan se do t’i ndihmojnë.
Një javë pas, komuna e Mamushës e ka bërë saktë vlerësimin e dëmeve që kanë pësuar bujqit.
Kryetari i Mamushës, Abdulhadi Krasniq, ka bërë të ditur për Reporteri.net se sot do ta dërgojnë raportin në Qeveri që tregon dëmet e shkaktuara, përmes të cilit kërkojnë të mbështetën bujqit e tyre.
“Gjendja e bujqve në Mamushë pas dëmtimit nga reshjet e shiut, flet kryetari Krasniq
“Komuna e Mamushës sot dërgon raportin në Qeveri për kompensim të dëmeve në Bujqësi
“Komuna e ka krijuar një komision për dëmet që janë regjistruar te fermerët. Ky komision ka verifikuar të gjitha dëmet që janë bërë në sera dhe në fushën e hapur. Dëmi është rreth 2 milionë e 100 mijë euro”, ka thënë Krasniqi për Reporteri.net.
Ai ka thënë se pret që Qeveria të mbajë premtimin dhe të mbështet fermerët e dëmtuar.
“Premtimet e kryeministrit kanë qenë që të dërgojmë raportin dhe do të mundohemi t’i kompensojmë, sa do të jetë kompensimi varet nga qeveria dhe Ministria e Bujqësisë. Jemi me shpresë se do të bëhet kompensimi”, tha ai.
Por Krasniq shton se nëse bujqit nuk kompensohen, përveç humbjeve disa prej tyre do të detyrohen edhe të lënë punën me të cilën mbajnë familjet e tyre.
“Nëse nuk kompensohen, gjysma e bujqve mund të dalin nga bujqësia”, ka deklaruar ai. /Reporteri.net/.