×
  • Lajme
  • Lajme

    Eksperti gjerman thotë se po bëhet një presion i jashtëzakonshëm për një marrëveshje të pistë mes Kosovës e Serbisë

    Reporteri
    02 Qershor 2020 | 16:39

    Eksperti gjerman dhe njohësi i rrethanave në Ballkanin Perëndimor, Toby Vogel, ka thënë se tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të bëjnë presion të paparë që të arritet një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë para zgjedhjeve të nëntorit në Amerikë.


    Ai në një postim në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter, ka thënë se presioni për të arritur një marrëveshje të shpejtë dhe të pistë para nëntorit është shumë i madh, shkruan Reporteri.net.

    “Lajm i keq për të gjithë ata që kanë shprehur interes të sinqertë për një marrëveshje afatgjate ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Presioni për arritjen e një marrëveshje të shpejtë dhe të pistë përpara nëntorit është shumë i madh”, ka shkruar Vogel.

    I gjithë ky debat është nxitur nga gazetari amerikan, Casey Michel, i cili ka shkruar për dorëheqjen e Richard Grenell, nga poztita e ambasadorit të SHBA-ve në Gjermani.

    Michel ka thënë se Grenell duket që ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat që ka mbajtur deri tani (Ushtrues detyre i Drejtorit të Agjencive të Inteligjencës, ambasador në Gjermani), vetëm për të shtyrë përpara një marrëveshje në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

    “Duket se kjo ishte edhe arsyeja e vetme pse ai mbeti në pozitën e emisarit, duke dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat e tjera. Lajme të këqija mbi lajme të këqija”, ka shkruar gazetari amerikan Michel.

    Toby Vogel, pjesë e DPC ditë më parë në një intervistë për REL kishte thënë se  SHBA-ja do marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ta shpallë misionin e përfunduar dhe të tërheqë trupat nga Kosova.

    https://twitter.com/tobyvogel/status/1267816038646689792

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!