×
  • Lajme
  • Lajme

    A po rrezikohet koalicioni në Vushtrri, Tahiri thotë se vendimi i takon VV-së

    Reporteri
    07 Qershor 2020 | 14:30

    Pas prishjes së koalicionit qeverisës në mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren dhe në nivelin qendror, janë ngritur pyetjet se a do të ndodhë gjëja e njëjtë edhe nëpër komuna ku këto dy parti bashkëqeverisin.


    Në një intervistë për KosovaPress kreu i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se kjo varet tërësisht nga Vetëvendosje.

    Kjo pyetje u ngrit ngase gjate ditës së shtune në konferencën e përbashkët të Tahirit me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, nuk ishte i pranishëm edhe nënkryetari i komunës së Vushtrrisë Besim Muzaqi i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Sidoqoftë kryetari i kësaj komune ka thënë se shpreson që nuk do të ndodhë e njëjta gjë si në Prizren, ku u prish koalicioni qeverisës në mes të këtyre dy partive, dhe se bashkëpunimi me qeverinë e Kurtit ka qenë i plotë, dhe marrëdhënie të njëjtë ka edhe me qeverinë e re të Hotit.

    “Unë kam ndërtuar një koalicion me qëllim që t’i shërbejmë qytetarëve të Vushtrrisë deri në fund të mandatit. Nuk do të kisha dashur që të ndikohemi nga bindjet partiake dhe të ndodhë ajo që ndodhi në Prizren, që për shkak të bindjeve partiake të dëmtohet qeverisja në funksion të qytetarëve të Prizrenit. Vendimi i takon LVV-së, nuk është vendim i yni. Ne kemi pasur deri tash bashkëpunim të mirë në qytetin e Vushtrrisë në funksion të arritjes së objektivave që i kemi dhënë si qeverisje komunale por çka do të ndodhë tutje nuk varet nga ne, por nga ata”, ka thënë Tahiri.

    Ai ka shtuar se qëllimi kryesor është mirëqenia e qytetarëve të Vushtrrisë, komunë e cila kohëve të fundit ka rezultuar si më e prekura nga sëmundja Covid-19.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës funksionon në bazë të Kushtetutës dhe ligjit të Republikës së Kosovës, në çdo kohë duhet të kemi një qeveri që ka legjitimitet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Si komunë kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm edhe me qeverisjen e kaluar kemi bashkëpunim edhe me këtë qeveri, sepse për mua si kryetar i Komunës më e rëndësishmja është qytetari i Vushtrrisë që t’i ofrojmë shërbime efikase dhe ta mbrojmë nga koronavirusi. Kemi përkrahje të kësaj qeverie të plotë”, deklaroi Tahiri.

    Sa i përket situatës së krijuar me pandeminë Covid-19, i pari i Vushtrrisë thotë për KosovaPress se ekonomia e kësaj komune ka pësuar dëme të pallogaritshme. Ai bëri të ditur se vetëm pako ekonomike e komunës e aprovuar me qëllim të lehtësimit të ngarkesës për biznese dhe për ekonomitë familjare i ka kushtuar Komunës 300 mijë euro në të hyra.

    “Dëmet nga Covid-19 në ekonominë e Vushtrrisë janë të pa llogaritshme, ne po bëjmë një studim tani për ndikimin e Covid-19 në ekonominë e Vushtrrisë, në mënyrë që të identifikojmë masat që do të marrim për t’i adresuar këto dëme. Këtë studim do ta paraqesim qeveris së Kosovës, kuvendit dhe donatorëve për të ndihmuar Vushtrrinë për rimëkëmbje ekonomike. Ajo që mund të ju them deri në këtë moment është që vetëm pako ekonomike e komunës e aprovuar me qëllim të lehtësimit të ngarkesës për biznese dhe për ekonomitë familjare i ka kushtuar komunës 300 mijë euro në të hyra, që nuk do të mund t’i mbledhim”, deklaroi Tahiri.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!