Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka bërë thirrje që bizneset t’i respektojnë masat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Ai përmes një statusi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka thënë që pas shumë përpjekjeve që kemi bërë për të lejuar hapjen graduale të ekonomisë, gjithçka mund të kthehet në pikën zero, shkruan Reporteri.net.
“Kemi bërë shumë përpjekje dhe mund për të lejuar hapjen graduale të ekonomisë, edhe shumë më shpejt se vendet tjera, por gjithçka mund të kthehet në pikën 0, nëse masat për të cilat jemi zotuar që do t’i respektojmë, nuk respektohen, sidomos në bizneset ku ka grumbullime dhe turma”, ka shkruar Rukiqi.
Tutje ai ka thënë se bota ka filluar t’i kthehet normalitetit, por ky normalitet tani i ka rregullat e veta.
“Mospërhapja e virusit dhe shkuarja drejt përfundimit zyrtar të pandemisë na lejon të fokusohemi në pjesën e masave për rimëkëmbjen e ekonomisë. Sa më shpejt që kemi përfundim zyrtar të pandemisë, aq më e shpejtë do te jetë rimëkëmbja ekonomike”, është shprehur ai.
Ditën e djeshme në Kosovë janë konfirmuar edhe 40 raste të reja me COVID-19, duke e çuar kështu numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 1,234. /Reporteri.net/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.