×
  • Lajme
  • Lajme

    Auditori i Përgjithshëm: Angazhimi i stafit pa konkurse është fenomen shqetësues në ndërmarrje dhe ministri

    Reporteri
    08 Qershor 2020 | 22:58

    Auditori i përgjithshëm, Besnik Osmani, në emisionin “Raport” të KTV-së ka thënë se angazhimi i stafit pa konkurse është një fenomen shqetësues në ndërmarrjet publike dhe në ministri.


    Ai ka thënë se shumica e ndërmarrjeve nuk kanë plan strategjik të zhvillimit të tyre.

    “Përveç shkarkimeve duhet të ketë edhe modalitete të tjera, në shumicën dërrmuese nuk kanë fare plan strategjik për zhvillimin e ndërmarrjes. Një ndërmarrje që nuk ka një planifikim të mirëfilltë të buxhetit të burimeve të financimit do të jetë problematike që të na sjellë cilësi të shërbimeve. Qeveria duhet të sigurohet se Bordet kanë plane të mirëfillta”, ka thënë Osmani.

    Sipas tij me probleme më të mëdha janë Posta dhe Telekomi, të cilat janë strategjike për shtetin.

    “Ato nuk kanë qenë në pozitë të demonstrojnë se kanë siguri financiare për të ardhmen. Prandaj e kemi këshilluar Qeverinë të ndërmarrë masa urgjente. Telekomi është një ndërmarrje që ka funksionuar për disa vite me radhë me humbje dhe ka vjetërsim të teknologjisë. Kur i shtojmë kostot e tjera operative do të jetë problematike që Telekomi do të mbijetojë, po flas për pasqyrat financiare për vitin 2018. Jemi në fazën përfundimtare dhe së shpejti do të kemi një raport të ri”, ka thënë Osmani.

    Ai thotë se kanë një bashkëpunim shumë të mirë dhe korrekt me të gjitha ndërmarrjet.

    “Edhe për neve ka qenë një sfidë që ta auditojmë Telekomin. Po na ndihmojnë shumë auditorët në fushën e IT-së. Ne do të jemi të kënaqur kur zbatohen rekomandimet. Ne kemi rreth 145 auditorë që punojnë edhe secili në ekipe duhet të kryejë tri organizata publike dhe ka një periudhë kur duhet ta kryejë këtë dhe pandemia na është shfaqur në kohën më të keqe”, është shprehur ai.

    Ai thotë se problemet zakonisht përsëriten në këto ndërmarrje.

    “Kemi probleme të ndjeshme në fushën e prokurimit publik, jo vetëm pjesën e kontraktimit por edhe të zbatimit të kontratave që lidhen me mbikëqyrjen. Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme sepse kemi më shumë se 700 milionë euro nga buxheti i Kosovës që zbatohen nga prokurimi publik. Shqetësuese mbetet angazhimi i stafit pa konkurse, ky është fenomeni që e ka karakterizuar edhe ndërmarrjet edhe ministritë dhe trendi është në rritje. Mund të angazhosh staf por kjo duhet të bëhet në bazë të meritës”, ka thënë Osmani.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!