Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka vizituar ndërtesën e ish-burgut të OZN-së në Prizren. Ai pas kësaj vizite ka thënë se PDK do të iniciojë në Kuvendin e Kosovës nismën ligjore për procesin e ndëshkimit të krimeve të komunizmit në Kosovë.
‘’Sot në Prizren vizitova ndërtesën e ish burgut të OZN-ës e cila ka funksionuar gjatë viteve 1945 -1965 në këtë qytet, ku vuajtën e vdiqën qindra nacionalistë e patriot, sikurse Halim Spahia, Marije Shllaku, At Bernard Llupi, e shumë shqiptarë të tjerë.’’, ka shkruar ai.
Tutje Veseli bëri të ditur nismën të cilën ka thënë se së shpejti do ta iniciojë.
“Së shpejti do të iniciojmë në Kuvendin e Kosovës nismën ligjore për procesin e ndëshkimit të krimeve të komunizmit në Kosovë. Ne jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk e kemi përmbyllur këtë proces. E kemi obligim moral e shtetëror t’i njohim sakrificat e atyre që u ndoqën dhe u vranë nga regjimi komunist jugosllav.”