Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka mirëpritur rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në negociatat me Serbinë, duke thënë se kjo nuk do të thotë dy lloj negociatash, por që asnjëra nuk bën pa tjetrën.
Ai ka thënë për qeverinë që udhëheq ai, roli i BE-së dhe i SHBA-së është komplementar në dialogun me Serbinë.
“Neve na duhet mbështetja e plotë e BE-së dhe angazhimi i fuqishëm në këtë proces edhe gjatë fazës së arritjes së marrëveshjes, por edhe gjatë zbatimit të saj. Nuk bën njëra pa tjetrën. Kështu e shohim ne këtë çështje”, ka thënë Hoti në një intervistë për REL.
Hoti nuk është i sigurt nëse marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë mund të arrihet para nëntorit, kur pritet të mbahen zgjedhjet në SHBA.
“Nuk e di. Nuk mund të them asnjë gjë për këtë. Atë që mund të siguroj është që pala kosovare, unë si kryeministër jam plotësisht i përgatitur, si qeveri jemi plotësisht të përgatitur, me një platformë të qartë me një qasje të qartë, strategji të qartë se si hyjmë në këtë proces të dialogut, se çfarë dëshirojmë të arrijmë në fund nga ky dialog dhe nevojën që të kemi, një gjithëpërfshirje të dialogut”, ka deklaruar Hoti.
I pyetur se nëse në tavolinën e bisedimeve ofrohet ndonjë zgjidhje për shkëmbim të territoreve apo ndarje të Kosovës, a do të largoheni nga ajo tavolinë apo do të pranoni një opsion të tillë, ai nuk ka dhënë një përgjigje të prerë si do të vepronte.
“Ne shkojmë në proces të dialogut të qartë sa i përket parimeve dhe objektivave të procesit të dialogut. Kjo është më se e qartë, e kam bërë të qartë edhe në paraqitjen publike dje të platformës tonë për dialog”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, Kosova ka bërë kompromise në Pakon e Ahtisarit kur ka shpallur pavarësinë dhe se nuk bën kompromise tjera.
Çfarë kompromisi duhet të bëjë Kosova në mënyrë që të arrihet një marrëveshje, sepse është thënë se për t’u arritur një marrëveshje duhet të bëjnë një kompromis, si Kosova po ashtu edhe Serbia?
“Unë besoj se kompromisi nga ana e Kosovës është pranimi për t’u ulur në tavolinën e dialogut, për të normalizuar marrëdhëniet me shtetin fqinj. Ky është kompromisi që po bëjmë. Të gjitha kompromiset që ne kemi bërë kanë përfunduar më 17 shkurt 2008, me Pakon e Ahtisarit, mbi të cilën është shpallur pavarësia e Kosovës dhe aranzhimet kushtetuese që sot i ka shteti i Kosovës në fuqi”, ka deklaruar Hoti.