×
  • Lajme
  • Lajme

    Një ditë para tubimit të Vetëvendosjes, Policia shton kontrollet në kryeqytet

    Reporteri
    11 Qershor 2020 | 18:32

    Një ditë para tubimit të paralajmëruar të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Policia e Kosovës i ka shtuar patrullimet nëpër pika të caktuara në kryeqytet, shkruan Reporteri.


    Ditët e fundit zyrtarë të shumë të Policisë janë parë para ndërtesës së re të Qeverisë së Kosovës, ish-objekti i Rilindjes.

    Ndërkohë sot Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se tubimi i Vetëvendosjes është lajmëruar në Polici.

    “Lidhur me tubimin/manifestimin e paralajmëruar të mbahet nesër (12.06.2020) në orën 17:00 në Prishtinë, Policia e Kosovës njofton opinionin publik se organizatorët e kanë lajmëruar Policinë e Kosovës për mbajtjen e këtij tubimi/manifestimi”, ka bërë të ditur Policia.

    Sipas komunikatës Policia e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike.

    “Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi, dhe me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, me qëllim të mbarëvajtjes së tubimit, mbajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit”, thuhet në komunikatë.

    Po ashtu, Policia ka njoftuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi.

    “Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet dhe masat e parapara ndaj pandemisë”, vazhdon njoftimi i Policisë.

    Kujtojmë se gjatë ditës, Kryeministri Kurti ka thënë se tubimi do të jetë paqësor dhe se do të ketë edhe fjalime, e përveç kësaj edhe muzikë. Ai përmes një videoje ka ftuar qytetarët që masivisht të marrin pjesë në tubim.

    Mirëpo, e shqetësuar se situata mund të dalë nga kontrolli është shprehur Ambasada Amerikane në Prishtinë. Kjo ambasadë ka kërkuar nga personeli qeveritar amerikan dhe nga qytetarët amerikanë në Kosovë që të shmangin sheshet e Prishtinës nga data 10 deri më 17 qershor.

    Lëvizja Vetëvendosje që prej kur u rrëzua nga ekzekutivi kosovar ka iniciuar mbledhjen e nënshkrimeve, duke kërkuar zgjedhje të reja. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!