×
  • Lajme
  • Lajme

    Rexhep Selimi e quan Thaçin “president kriminal”

    Reporteri
    12 Qershor 2020 | 8:45

    Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, e ka quajtur president kriminel Hashim Thaçin duke e akuzuar se po projekton edhe përplasje qytetare, ndonëse thotë se nuk e di për çfarë arsye e bën këtë.


    Selimi tha se Thaçi ka bërë shumë vepra penale dhe ka folur të pavërteta nën betim, njofton Klan Kosova.

    “Ai e ka shkelur edhe premtimin e së vërtetës. Ka dhënë edhe deklarata të rrejshme. Kemi të bëjmë me një njeri të cilin që jo rrallë ka kërkuar dhe projektuar edhe përplasje qytetare dhe mbi të gjitha ai dëshiron përplasje qytetare. Pse? Këtë mund ta shpjegojë vetë ai sepse një situatë e tillë do t’i leverdiste atij. Ai duke bërë thirrje për padëgjueshmëri qytetare, kërcënime për protestuesit, kërcënime ndaj Qeverisë Kurti, ministrit të Brendshëm Sveçla, duke kërcënuar personalitete si Osmanin në Rubikon – një qasje e tillë që secila në vete është vepër penale”.

    “Po mundohet të kthehet në një lider diktatorial e s’po ia arrin për shkak të mungesës së kapaciteteve. Ne kemi të bëjmë me një president kriminel. Të gjitha këto vepra penale do të rezultonin në fajësi, prandaj s’kam si ta quaj ndryshe përveç se president kriminal”.

    Rexhepi këto komente i bëri në Rubikon të Klan Kosovës duke folur për akuzat e Thaçit, që i bëri në po të njëjtin emision, se Vetëvendosje qëndron prapa organizatës “Syri i Popullit”.

    “A s’është çmenduri kjo? Ky grumbull njerëzish që i përfaqëson Thaçi nuk i bëjnë rastësisht këto gjëra. Akuzat deri në formim të një organizate terroriste që na quan terroristë neve i bëjnë me qëllim që të mund të na përjashtojnë prej procesit zgjedhor. S’është hera e parë që ka tentuar ta shpallë Vetëvendosjen terroriste duke tentuar ta lënë jashtë procesit zgjedhor, por s’ia ka arritur e as që do të arrijë.”.

    Rexhepi mohoi se ka njohuri për organizimin, strukturat apo anëtarët e kësaj organizate dhe tha se Vetëvendosje s’ka të bëjë me këtë e as që është në logjikën e kësaj partie.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!