Autoriteti i Aviacionit Civil ka lëshuar një komunikatë që ka të bëj me hapjen e Aeroporit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Në njoftimin dërguar mediave, thuhet se Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Ministria e Infrastrukturës janë duke bërë përgatitjet dhe vlerësimet e fundit për hapjen e Aeroportit.
“Njoftohen të gjithë operatorët ajrorë, udhëtarët dhe palët tjera të interesuara se Autoriteti i Aviacionit Civil, në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse janë duke bërë vlerësimet dhe përgatitjet e duhura për hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për fluturime ajrore, duke u siguruar se të gjitha rekomandimet e dala nga protokolli ndërkombëtar i sigurisë për mbrojtjen e shëndetit në aviacion do të zbatohen”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, në bazë të asaj që ka thënë Autoriteti i Aviacionit, pritet vlerësimi i IKSHPK-së për të marrë një vendim në lidhje me këtë çështje.
“Pritet vlerësimi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në lidhje me situatën aktuale shëndetësore me COVID-19 dhe në momentin e një rekomandimi pozitiv nga ky Institut, Ministria e Shëndetësisë në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës do t’i propozojnë për vendimmarrje Qeverisë hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për fluturime të rregullta”, thuhet në fund.
Kujtojmë se Aeroporti i Prishtinës ka ndërmarrë disa masa të cilët udhëtarët janë të obliguar t’i zbatojnë në terminale.
Këto masa janë bërë publike javën që po lëmë pas. /Reporteri.net/