×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Sekuestrohen rreth një milion euro në portin e Durrësit

    Reporteri
    13 Qershor 2020 | 17:28

    Një sasi e konsiderueshme eurosh të padeklaruara është gjetur e sekuestruar në portin e Durrësit.


    Sasia e parave, që sipas burimeve policore, ende të pakonfirmuara zyrtarisht, dyshohet se kap vlerën e afro 1 milion eurove, është gjetur në një kamion që transporton mallra përmes linjës detare Durrës-Bari dhe kthim. Sasia e valutës së huaj është futur në vend pa u deklaruar në doganë nga shoferi i kamionit, banues në Tiranë i cili është ndaluar për mosdeklarim të vlerave monetare në pikën e kalimit kufitar.

    Ka qenë një kontroll rutinë që ka zbuluar paratë e padeklaruara në mjetin që kishte ardhur nga Italia me tragetin e linjës së Barit. Burime për Top Channel bëjnë me dije se aktualisht vetëm shoferi i kamionit është shoqëruar nga organet policore.

    Hetimet të mëtejshme pritet të zbardhin pritësin e kësaj shume parash dhe burimin e tyre.

    Sasia e sotme është më e madhja e sekuestruar që pas eurove që u gjetën te makina tip Toyota Yaris në vitin 2018.

    Kujtojmë se në qershor të vitit 2018-ës, policia shqiptare në bashkëpunim me Interpolin Italian, gjetën rreth 3.4 milionë euro të fshehura në dy makina të tipit “Toyota Yaris”, të cilat po transportoheshin me tragetin e linjës Bari-Durrës. Automjetet vinin nga Belgjika duke përdorur Italinë si tranzit.

    Ndërkaq, në tetor të vitit të kaluar, çështja u rikthyer për hetim, për shkak sepse nga gjykata e krimeve të rënda u vlerësua që prokuroria duhet të zhvillonte hetime shtesë për personat e paidentifikuar.  /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!