Autor: Besim Kajtazi
Stacioni i milicisë serbe në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë, ishte stacioni famëkeq i torturës dhe i dhunimeve, që ndodhën veçmas një muaj para fushatës së bombardimeve të NATO-s, deri në ditën kur në kryeqytet hyrën trupat britanike të KFOR-it, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës më 9 qershor 1999…
Përveç burgut famëkeq të Prishtinës, kryeqyteti gjatë okupimit serb, pati edhe një stacion tjetër famëkeq të policisë, ku shqiptarët, veçmas gjatë vitit 1998-1999, iu nënshtruan torturave barbare. Në këtë stacion të milicisë serbe, që gjatë luftë njihej si stacioni në Lagjen e Muhaxhirëve, shqiptarët e arrestuar iu nënshtruan dhunës më të egër që njeh njerëzimi. Në këtë ndërtese që në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar ishte konvikti i nxënësve të Shkollës së Mesme të Mjekësisë, pas vitit 1981, u shndërrua në stacion të milicisë…
Këtu sidomos pak para bombardimeve të Aleancës Veri Atlantike (NATO-s), shqiptarët e burgosur u keqtrajtuan në mënyrë çnjerëzore dhe vetëm ata që patën rastin të defilojnë këtu e dinë mirë tmerrin që përjetuan nga dhuna shtazarake policore…
Në dhomat e kateve të larta, por edhe në bodrumin e ndërtesës, ishin kthina të veçanta, me mjete e pajisje të ndryshme me të cilat torturoheshin të burgosurit, duke nisur prej elektroshokut e deri te thikat e boksat e hekurit, shpatat e sharrat, stupcat e bejsbollit e mjete të tjera, të cilat as që mund t’i paramendojë truri i njeriut…
Këtu, në këtë ndërtesë të tmerrit, u kryen edhe dhunimet e femrave shqiptare dhe gjithë ky tmerr që ndodhi në këtë stacion, u zbulua ditën e parë të hyrjes së trupave të KFOR-it britanik, të cilët, pasi më parë ishin njoftuar për këtë qendër të dhunës, rrethuan ndërtesën dhe gjatë kontrollit, zbuluan tmerrin që kishte ndodhur gjatë 78 ditëve të bombardimeve…
Me të hyrë në Prishtinë, forcat e KFOR-it Britanik, e morën stacionin, prej nga kishin ikur policia serbe, dhe në një braktisje të rrufeshme nuk kishin arritur t’i fshihnin gjurmët e krimit. Dhomat e tmerrit nxorën në pah atë që njerëzit kishin supozuar se në Kosovë, shfrenimi fashist serbë nuk kishte të ndalur, ndaj popullatës civile, të cilët po përjetonin shtetrrethimin më të rëndë në historinë më të re të Luftës së Kosovës…
Duke ditur se këtu po zhvillohej një dhunë e paparë, banorët përreth lagjes, u larguan nga shtëpitë e tyre dhe dolën në Maqedoni, nga frika se një ditë edhe atyre një ditë do t’iu vinte radha që të futeshin në ndërtesën e tmerrit…
Në këtë ndërtesë njerëzit u mbytën në torturë, humbën edhe pa gjurmë e një pjesë e madhe u dërguan nëpër burgje të tjera, nëpër Kosovë, kurse siç dihet, një ditë para hyrjes së trupave të KFOR-it në Kosovë, më 10 qershor mbi 2800 të burgosur shqiptarë u depërtuan fshehurazi në Serbinë.
Ajo që u gjet këtu, nëpër dhomat e gjakosura nga rrahjet, dokumente e mjetet e dhunës, thikat që u përdorën gjatë maltretimeve, u gjetën kondomë e veshje të ndryshme të femrave të dhunuara, u publikuan po atë natë, më 11-12 qershor 1999, më mediet prestigjioze angleze dhe botërore…
Kanë kaluar 21 vjet nga hyrja e forcave të KFOR-it në Kosovë, dhe kjo ndërtesë e tmerrit të luftës, nuk u përmend më… Çka është më e keqja, ndërtesa edhe pas çlirimit, përdoret si stacion i policisë, në vend se ajo të mbetej në përkujdesje të shtetit, si vendi i krimit që bëri pushtuesi serb ndaj shqiptarëve.
Në Kosovë, përkatësisht në kryeqytet, para forcave të KFOR-it, arritën gazetarët e shumtë të medieve botërore dhe Grand Hoteli Prishtina, nuk pati vend për t’i vendosur, hoteli i cili gjithashtu ishte i pushtuar nga personeli serbë, policë civilë e agjentë… edhe këtu dyshohet se serbët kryen dhunë e dhunime…
Gazetarët në pamundësi që të strehohen në këtë hotel u shpërndanë nëpër lagje të ndryshme dhe më pas u strehuan nëpër shtëpi private. Me ardhjen e tyre qytetarët që kishin mbetur këtu u ndien paksa më të sigurt, dhe ardhja e tyre ishte kumti i parë, se pushtimi serb i Kosovës kishte marrë fund…
Krimet që u zbuluan më pas e tronditën gjithë botën e qytetëruar…