Presidenti i Kosovës pati një qëndrim me shumë kritika sot, ndaj lajmit se nesër në Kosovë do të qëndrojë emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak. Tha se kosovarët nuk duan fjalime të kota, por duan liberalizim të vizave. BE-ja nuk ka shumë komente por ka një përgjigje interesante, shkruan Reporteri.
Një deklaratë jo fort e këndshme në raport me Miroslav Lajçak u dha sot nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Teksa u pyet për vizitën e Emisarit të Bashkimit Evropian në Kosovë, nga sot, Thaçi tha se ‘qytetarët e Kosovës kanë nevojë për liberalizim të vizave dhe jo fjalime koti’.
“Unë nuk jam i informuar për agjendën e vizitës së zotit Lajçak në Kosovë. Nuk është koha të hapen çështje teknike apo pretendime për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ai duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran nëse vjen me këtë qasje se duhet të përmbyllet me njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë. Çdo qasje tjetër është çështje e dështimit të tij në Kosovë. Lajçak duhet ta kuptojë para së gjithash se qytetarët kanë nevojë për viza e jo fjalime të kota”, tha ai para mediave pas takimit që kishte me Kryeministrin, Avdullah Hoti.
Kjo deklaratë e tij, është e disata në raport me emisarin, Miroslav Lajçak. Nuk dihet ende nëse një takim mes të dyve do të zhvillohet në këto tre ditë sa thuhet se Lajçak do të qëndrojë në Prishtinë.
Një gjë dihet se zyrtari BE-së do të takohet me Kryeministrin, Avdullah Hoti dhe institucione të tjera publike, dhe të shoqërisë civile.
Në një njoftim për media nga zyra e BE’së në Kosovë kanë bërë të ditur se Lajçak do të qëndrojë në Kosovë për tri ditë, nga 15 deri më 18 qershor.
“Në Kosovë, Ambasadori Lajçak do të takohet me udhëheqjen politike, përfaqësuesit e partive politike dhe të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, si dhe krerët e misioneve të vendeve anëtare të BE-së. PPBE-ja planifikon të diskutojë kushtet dhe modalitetet për një rifillim të shpejtë të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit. Gjatë qëndrimit në Kosovë, PPBE-ja do të shfrytëzojë këtë mundësi për t’u njohur me situatën në terren”, shkruhet në njoftim.
Nga Zyra Ndërlidhëse e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë thënë se agjenda e Lajçak po finalizohet dhe nuk kanë dhënë detaje të takimeve.
Dinka Zivalj, zëdhënëse e Zyrës së BE-së në Kosovë në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri.net”, nuk ka dashur të komentojë shumë deklaratën e presidentit Thaçi.
“Si rregull, ne nuk i komentojmë deklaratat e përfaqësuesve politikë”, ka thënë ajo.
Megjithatë, Zivalj ka kujtuar mbështetjen financiare që BE-ja ka dhënë deri më tash për Kosovën.
“BE është e përqendruar të ofrojë rezultate konkrete për popullin e Kosovës – shuma e ndihmës e ofruar deri më tani (afërsisht 2.5 miliardë euro që nga viti 1999) flet vetë”, ka deklaruar ajo për Reporterin.
Presidenti i vendit po insiston në një rol kryesor të SHBA-ve në dialogun Kosovë -Serbi. Ai po flet për një garancë të marrëveshjes dhe ka kritikuar qasjen e BE-së, aq më tepër me emërimin e zotit Lajçak, që vjen nga Slovakia, shtet që se ka njohur Kosovën, si emisar për dialogun, si dhe Josep Borrel si Përfaqësues i Politikës së Jashtme, që vjen nga Spanja, shtet që poashtu nuk e ka njohur Kosovën.
Edhe liderët tjerë politikë në vend janë shprehur pro një roli aktiv të SHBA-ve, por nuk kanë qenë aq të ashpër në deklarime kundrejt BE-së.
Reporteri.net ka provuar ndërkaq të marrë një përgjigje nga Zyra e Presidentit Thaçi për mundësinë e një takimi, por kontakti me këshilltarët për media ka qenë i pamundur. /Reporteri/.