×
  • Lajme
  • Lajme

    Propozohet që në kafiteri një person në 8 metra katrorë, pronarët e quajnë të pakuptimtë

    Reporteri
    15 Qershor 2020 | 18:28

    Pas tre muajsh pauzë për shkak të pandemisë, bizneset nga 1 qershori i hapen dyert për klientët por gjithnjë duke respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.


    Ndërsa pronarë të dyqaneve të ndryshme janë ankuar se ju ka rënë puna, ky problem nuk është për kafiteritë të cilat çdo ditë janë të stërmbushura, njëjtë si para pandemisë.

    Por shtimi i rasteve me coronavirus në ditët e fundit ka bërë që të reagoi kryeministri Avdullah Hoti i cili sot ka paralajmëruar marrjen e disa masave obligative, e ku një prej tyre i prek direkt lokalet, këtë raste edhe kafiteritë të cilat nisën të këndellen pas lehtësimit të masave.

    Hoti tha se nuk lejohet më shumë se 1 person në 8 metra katrorë në lokale, dhe se pronarët e lokaleve janë të obliguar të publikojnë numrin maksimal të lejuar të personave para hyrjes së lokaleve.

    Nga këto masa pritet të pësojnë më së keqi kafiteritë, pas nga një llogaritje e thjeshtë i bie që lokalet që kanë p.sh. 80 metra katrorë nuk mund të lejojnë brenda më shumë se 8 persona, shkruan Reporteri.net.

    Por këto masa po i kundërshtojnë fuqishëm bizneset duke thënë se nëse një vendim i tillë hynë në fuqi, atyre ju pamundësohet të zhvillojnë veprimtarinë e tyre.

    Të pakuptimtë i ka quajtur Shpat Hashanin, pronar i kafiterisë Babel masat e paralajmëruara nga kryeministrit Hoti.

    Ai ka thënë për Reporteri.net se hapësira e vogël e lokalit të tij dhe shumicës së lokaleve e pamundëson funksionimin nëse nuk lejohen më tepër se 1 person në 8 metra katrorë.

    “Tash është moti i nxehtë dhe klientët shumica preferojnë të ulen në terasë. Terasa e lokalit tim është diku 40 metra katrorë që i bie që në lokal të ulen vetëm 5 persona. Kjo është e tepërt sepse ne nuk mund të funksionojmë në këtë mënyrë. Kjo do të na detyrojë t’i mbyllim lokalet”, tha Hashani.

    Kujtojmë se në anën tjetër estrada sot protestoi para qeverisë duke kërkuar që të lejohet mbajtja e dasmave, por që ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se ende nuk dihet kur do të ndodhë një gjë e tillë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!