Tirana vazhdon të jetë qyteti me më shumë raste infektimesh në Shqipëri. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë ditën e djeshme, në Tiranë vazhdojnë të jenë aktive 249 raste.
Por në cilat zona, rrugë të Tiranës janë vatrat aktive? Fjala.al ka përgatitur një listë të 8 vatrave aktive në kryeqytet: Komuna e Parisit, Sauk, NSHR, Bregu Lumit, 5 Maji, Shkozë – Lana-bregas, rruga Besim Alla, Pallati me shigjeta, Fushë-Mëzezë, Porcelan, rruga Besim Zyma, rruga Karl Gega, rruga Muhamet Gjollesha, rruga Sulejman Delvina, Liqeni i Thatë, Ali Demi, rruga Ndre Mjeda, Fresku, Kopshti Zoologjik, rruga Lidhja Prizrenit, rruga Efuard Mano, Qytet Studenti, rruga Mihal Grameno, rruga Shefqet Kuka, rruga Brigada VIII, rruga Barrikadave, Garda e Republikës.
Ndërkohë QSUT-ja vazhdon të jetë një vatër e nxehtë e Covid-19, një kryeinfermier dhe 3 infermierë të sallës operatore në pavjonin e ORL-së kanë rezultuar pozitivë me koronavirus. Gjithashtu pozitivë me koronavirus kanë rezultuar një mjek në Qendrën Shëndetësore në Sauk, një mjeke e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe një kryeinfermier.
Ditën e sotme pritet të konfirmohet nga autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë 29 raste të reja vetëm në Tiranë. Ndërkohë ditën e djeshme kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 69 persona, duke shënuar një rekord të ri të infektimeve në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vazhdon apelin për vetëndëgjegjësim nga qytetarët që të tregohen të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura: Qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse kur nuk mund të ruhet distanca fizike, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.