×
  • Lajme
  • Botë

    Itali, gjysmë milioni maturantë japin sot provimin

    Reporteri
    17 Qershor 2020 | 12:13

    Pas mbi 100 ditë mbyllje shkollat italiane hapin sot dyert për provimet e rreth 500 mijë maturantëve.


    Janë rreth 13 mijë komisione profesorësh të ngritura në shkollat e institucionet shkollore në të gjithë territorin kombëtar të cilët do të marrin në ekzaminim maturantët e vitit 2020.

    Gjithçka është e organizuar në respektimin e protokollit të sigurisë të vendosur nga Komiteti Tekniko-Shkencor i ngritur pranë Këshillit të Ministrave.

    Çdo nxënës para se të hyjë në shkollë duhet të ketë me vete në vetë certifikimin mbi gjëndjen e tij shëndetësore e të garantojë se nuk është në regjim karantinimi.

    Për të evituar grumbullimet është përcaktuar një listë nxënësish që do të rregullojë oraret e hyrjes së tyre në sallën e komisionit.

    Çdo maturant do të ketë të drejtë të shoqërohet vetëm nga një familjar ose i afërm e do të repesktojë rregullin e distancimit të paktën 2 metra na anëtarët e komisionit dhe nga persona të tjerë në ambientet e shkollës.

    Anëtarët e komisionit duhet të mbajnë maskat mbrojtëse e po ashtu dhe nxënësi i cili lejohet ta heqë kur të merret në pyetje.

    Provimi i maturës 2020 është i organizuar në 5 faza. Faza e parë është dorëzimi deri më datë 13 qershor i një teme të zgjedhur për provimin me shkrim nga maturantët, më pas analiza e një teksti të letërsisë italiane, vazhdon me diskutimin shumë disiplinorë mbi një material mësimor i përcaktuar më parë, diskutimi i relacionit mbi eksperiencën personale gjatë periudhës së detyruar të stazhit shkollë-punë e mbyllet me pyetje mbi Kushtetutën italiane, nënshtetësinë e mbi periudhën e lockdown që kaloi vendi.

    Pak orë më parë në një videomesazh kryeministri italian Giuseppe Conte uroi maturantët 2020 për këtë rrugëtim të ri me fjalët “Nxirrni më të mirën nga vetja e qofshi ju protagonistët e një Itali më të mirë.”

    Ministrja italiane e Arsimit, Lucia Azzolina, ka zgjedhur sot të jetë e pranishme në një institut shkollor në qytetin e Bergamos, një nga më të prekurit nga agresivitit i pandemisë i cili shkaktoi një numër të lartë viktimash e të infektuarish.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!