Mbrojtësi i Arsenalit, David Luiz, mund të ketë luajtur ndeshjen e tij të fundit për klubin londinez. Arsenali të mërkurën mbrëma pësoi 3:0 nga Manchester City në rifillim të Premier Leagues. Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta nuk është i sigurt që braziliani ka të ardhme në stadiumin “Emirates”.
Luiz u aktivizua në minutën e 20-të në vend të Pablo Marit të lënduar. David Luiz u përjashtua në ndeshje dhe është i suspenduar për ndeshjet ndaj Brightonit dhe Southamptonit.
Kontrata e tij është e vlefshme deri më 30 qershor. I pyetur nëse Luiz ka të ardhme në klub , Arteta ka thënë: “Nuk e di. Ai është shumë i hapur, është lider. Kam qenë i bindur se ai do të flas me të gjithë, ai është shumë i drejtpërdrejtë. Kjo më pëlqen dhe e çmoj te ai. Unë do ta mbroj atë me çdo gjë që kam. Ai ma ka treguar shumë gjëra në kohën e tij këtu dhe karriera e tij flet mjaftueshëm”.
Luiz është fajësuar për humbjen e Arsenalit. Ai u vlerësua fajtor për golin e parë të Raheem Sterlingut, ndërsa më pas bëri penalltinë të cilën e realizoi Kevin De Bruyne herët në pjesën e dytë. Ndërhyrja e tij në Riyad Mahrezin ishte për karton të kuq.
Me gjithë admirimin për Luizin, Arteta mendon se ndikimi financiar i koronavirusit mund të bëjë që Arsenali të lirojë mbrojtësin që të largohet.
“Ne nuk mund të harrojmë situatën financiare dhe mënyrën se si COVID-19 ka goditur secilin klub dhe ekonominë. Ne duhet të marrim vendime të mëdha. Ne po ashtu kemi pranuar ulje të pagave, jo vetëm lojtarët por edhe stafi dhe bordi, për të ndihmuar situatën. Ka pasoja dhe njerëzit që drejtojnë klubin nuk duan të rrezikojnë atë”, ka theksuar Arteta.