×
  • Lajme
  • Lajme

    Këshilltari i Kryeparlamentares: Votova kundër përjashtimit të Vjosa Osmanit nga LDK-ja

    Reporteri
    20 Qershor 2020 | 16:59

    Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së, Faton Peci, ka thënë se ka votuar kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga dy pozitat partiake. Ka thënë se largimi i Osmanit nga pozita e Nënkryetares dhe Anëtares së Kryesisë së LDK’së është në kundërshtim me frymën e Ibrahim Rugovës.


    “Sot votoj kundër shkarkimit, sepse jam kundër diferencimit dhe në mbrojtje të frymës së Rugovës!”, ka shkruar Peci, në një reagim në FB.

    Sot, Isa Mustafa propozoi largimin e Osmanit nga dy pozitat partiake pasi ka përkrahur publikisht dhe me votë qëndrimet e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, duke dalë edhe kundër zgjedhjes së Avdullah Hotit për Kryeministër. Madje, Osmani ka akuzuar LDK’në se krijoi Qeverinë e re me hisedar Hashim Thaçin.

    Sidoqoftë, Faton Peci ka thënë se LDK është në udhëkryq të madh nëse vendos për largimin e Nënkryetares.

    “Edhe 2 orë, deri tek udhëkryqi i madh i LDK-së. Forca kohezive që e mbajti gjallë LDK-në si partinë e parë anti komuniste ishte presidenti Ibrahim Rugova, i cili kultivoi me devotshmëri frymën e tolerancës dhe respektimit të mendimit ndryshe. Paradoksalisht, sot ideja e presidentit Rugova po dhunohet nga ide totalitare që i trishtohen mendimit ndryshe. Kjo tendencë mund ta përfundojë projektin e quajtur LDK dhe kauzën, Liri, Pavarësi, Demokraci”, ka shkruar ai.

    Faton Peci, që mban edhe pozitën e Këshilltarit të Vjosa Osmanit, u ka bërë thirrje anëtarëve të KP të LDK’së të votojnë kundër.

    “Është ndërgjegjen e secilit anëtar të LDK-së dhe secilit të përfshirë në struktura drejtuese të vendos se çfarë do të jetë LDK-ja nesër! Një LDK, timoniere dhe bartëse e procesit të konsolidimit të shtetit, apo subjekt që përfundimisht shkëputet nga tradita politike e saj! LDK-ja ka kuptim vetëm si prijetare e demokracisë dhe mendimit ndryshe. Pa këtë atribut, LDK-ja mund të mbetet vetëm e lidhur nyjë dhe në funksion të një grupi të ngusht, të cilët çdo ditë e më tepër po përfshihen në tendenën e delëdëkizimit! Sot ka nevojë të mbrohet demokracia, të mbrohet LDK-ja dhe të mbrohet konsistenca politike! Sot duhet të mbrohet Kosova, sepse ajo është LDK-ja!”, ka shkruar ai.

    Vjosa Osmani karrierën në politikë e ka nisur në kabinetin e Presidentit Fatmir Sejdiu, i cili e kishte ndihmuar të hynte edhe në funksionet partiake. Pas rrëzimit të Sejdiut, Vjosa Osmani kishte hyrë në rrethin e ngushtë të Isa Mustafës, duke u bërë edhe Zëdhënëse e Fushatës zgjedhore të LDK’së.

    Por raportet e Vjosa Osmanit dhe Isa Mustafës ishin prishur kur LDK lidhi koalicion me PDK’në.

    Megjithëkëtë, Vjosa Osmani prapë ishte pajtuar me Isa Mustafën, duke e pranuar për Shef të Partisë dhe kishte marrë pozitën e Nënkryetares. Në zgjedhjet e fundit dështoi ta nxjerrë LDK’në të parën në garën për zgjedhjet nacionale. Pas prishjes së koalicionit VV-LDK, Vjosa Osmani është pozicionuar kundër LDK’së.

    https://www.facebook.com/photo.php?fbid=3895169073889938&set=a.490810894325790&type=3

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!