Përfshirja e grave në politikë e vendimmarrje dhe emërimi i tyre në pozita udhëheqëse varet nga partitë politike si dhe reflekton pozitën e gruas brenda tyre.
Përfaqësimi i grave në parti politike është mjaft i ulët dhe kjo dëshmohet me faktin se përveç Mimoza Kusari-Lilës e cila drejton partinë Alternativa, asnjë grua tjetër momentalisht nuk udhëheqë me ndonjë parti politike, shkruan Reporteri.net.
Disa nga subjektet politike në Kosovë, angazhimin e grave e rregullojnë përmes krijimit të forumeve të veçanta për gratë që funksionon në kuadër të partisë.
Partia më e vjetër në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas statutit të saj, nuk parasheh kuota gjinore në organet drejtuese të këtij subjekti.
Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK është automatikisht edhe anëtare e Këshillit të Përgjithshëm dhe kryesisë së saj por, 38 degët e LDK-së drejtohen nga burrat, kurse vetëm 4 nga 23 anëtarët e kryesisë janë gra, shkruan Reporteri.net.
Në krye të partisë qëndron Isa Mustafa, ndërsa postin e nënkryetarit e mbajnë: Vjosa Osmani, Agim Veliu, Haki Rugova dhe Lutfi Haziri.
As statuti i Partisë Demokratike të Kosovës, nuk parasheh kuota të përfaqësimit gjinor në organet e saj.
Nga 43 anëtarët e kryesisë, vetëm 7 janë gra, ndërsa në Këshillin Drejtues të saj ku bëjnë pjesë 151 anëtarë, 50 janë gra.
Në Lëvizjen Vetëvendosje, nuk ka forum të gruas siç ndodhë në partitë tjera por, angazhimin e gruas e rregullon përmes sekretariateve të gruas aktiviste në secilin nivel të organizimit.
Në pozitat drejtuese, kjo parti ka një nënkryetare, Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe një sekretare organizative, Vlora Haxhimehmedi.
Ndërsa nga 36 degët e kësaj partie, vetëm 4 drejtohen nga gratë, kurse 7 nga 23 anëtarët e kryesisë së LVV-së janë gra.
Nisma Socialdemokrate, pjesëmarrjen e barabartë gjinore nuk e rregullon me kuotë por, vetëm me organizatën e veçantë të gruas (Organizata Nisma e Gruas për Kosovën). Ndërsa rreth përfaqësimit aktual të grave në organet e saj drejtuese, nuk ka ndonjë informacion në faqen e tyre zyrtare.
E njëjta vlen edhe për Aleancën Kosova e Re dhe njësoj, as ky subjekt nuk parasheh kuota gjinore dhe çështjen e përfshirjes së gruas e trajton përmes Forumit të Gruas së AKR-së.
Subjektet e vetme politike të cilat në kuadër të statutit të tyre aplikojnë kuota gjinore, janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate.
Kryesia e AAK-së përbëhet nga 13 nënkryetarë ku 4 prej tyre janë gra si dhe pozitën e sekretarit organizativ të partisë e mbanë Donika Kadaj Bujupi.
PSD që nga themelimi i saj në vitin 1990, ka përcaktuar me statut që të gjitha organet drejtuese ku përfshihen Këshilli Drejtues dhe Kryesia, duhet të kenë përfaqësim minimal prej 40% të secilës gjini.
Në PSD, pozitën e sekretarit të përgjithshëm e mbanë Teutë Rrusta. /Reporteri.net/