Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka prezantuar nismat ligjore që do të ndërmerr PDK për të zbardhur të vërtetën e plotë që nga procesi i privatizimit e deri tek gjitha çështjet jetike për vendin në 21 vite liri.
Ai tha se nga sot e nisë ballafaqimi me të vërtetën për shumë tema e vendime që janë përfolur e abuzuar politikish përgjatë 20 viteve.
“Prandaj, PDK-ja do të ndërmarrë veprime konkrete kushtetese e ligjore brenda Kuvendit të Kosovës për këto tema, të cilat do t’i shërbejnë vetëm interesit publik dhe nxjerrjes së të vërtetës njëherë e përgjithmonë se kush janë abuzuesit e vërtetë me emër e mbiemër të këtij vendi. Këto iniciativa nënkuptojnë themelimin e Komisioneve Hetimore për Cështje më rendësi të veçantë për publikun, si dhe propozime për plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve aktuale, duke përfshirë këtu edhe iniciativat e reja legjislative hetimore dhe gjithçka që i’u mundësohet hetimeve parlamentare të pavarura e profesionale”, tha Veseli.
Lideri i PDK-së tha se nga këto veprime konkrete e iniciativa parlamentare nuk do ta përjashtohen asnjë individ politik, qoftë edhe brenda partisë që drejton.
“Prandaj, kërkesa e parë që e deponojmë këtë javë në Kuvendin e Kosovës është për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Procesin e Privatizimit në Kosovë. Dua të siguroj të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, ndërmarrësit e bizneset që ky proces nuk është kundër tyre si dhe kundër procesit të privatizimit. Përkundrazi, si parti e qendrës së djathtë e mbështesim dhe do të angazhohemi që këtij procesi t’i sigurojmë transparencë të plotë dhe llogaridhënie deri në fund”, tha Veseli.